Vendosni fjalën kyçe....

Policia fajëson minjtë për mungesën e kanabisit: Janë sypatrembur, hëngrën provat që do paraqisnim në gjykatë


Zyrtarët e policisë në Indi kanë vënë në dukje ‘minjtë sypatrembur’ si përgjegjës për zhdukjen e qindra kilogramëve kanabis të sekuestruar nga tregtarët e drogës dhe të ruajtura si prova në rastet e shitjes së drogës.

Shpjegimi i pazakontë erdhi pasi një gjykatë në shtetin Uttar Pradesh i kishte kërkuar policisë të shtunën që të sillte marijuanën e konfiskuar për disa dosje gjykimesh në vazhdim që datojnë që nga viti 2018.

Policia thuhet se u përgjigj se nuk mund të siguronte shumën e plotë sepse minjtë kishin shkatërruar 195 kilogramë kanabis në një rast. Brejtësit, thanë ata, kishin ngrënë gjithashtu ‘disa’ nga provat në një rast tjetër që përfshinte 386 kilogramë drogë.

“Minjtë janë kafshë të vogla dhe ata nuk kanë frikë nga policia.” – thanë përfaqësuesit e policisë, duke deklaruar se ‘është e vështirë të mbrosh drogën prej tyre’. Prokurori publik Mathura Ranveer Singh shpjegoi më tej se nuk ka vend në stacionin e policisë ku kanabisi mund të jetë i sigurt nga minjtë.

Gjykatësi Sanjay Chaudhary pranoi se policia ‘nuk kishte ekspertizën’ për t’u marrë me brejtës të tillë të vegjël dhe vuri në dukje se rreth 700 kilogramë marijuanë të sekuestruara nga policia ndodhet aktualisht në komisariatet në rrethin Mathura dhe se e gjithë kjo ishte në rrezik shkatërrimi nga minjtë.

Gjykatësi vazhdoi të sugjeronte se e vetmja mënyrë për të mbrojtur kanabisin nga ‘minj të tillë të patrembur’ ishte ta nxirrte në ankand dhe të ardhurat t’i kalonin qeverisë.

Gjykata tani ka urdhëruar policinë që të gjejë një mënyrë për t’u marrë me ‘kërcënimin e minjve’ dhe të gjejë prova se brejtësit shkatërruan vërtet 581 kilogramë marijuanë, që thuhet se vlejnë gjashtë milionë rupi indiane (7,341 dollarë).

Një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2018 në Argjentinë, kur tetë oficerë policie u pushuan nga puna pasi fajësuan minjtë për zhdukjen e gjysmë ton kanabis nga një magazinë policie.

Pretendimet e tyre u hodhën poshtë pasi ekspertët mjeko-ligjorë theksuan se nuk kishte gjasa që kafshët të ngatërronin drogën me ushqimin dhe se do ishin gjetur ‘shumë kufoma’ në magazinë nëse minjtë do të konsumonin kanabisin.