Pavarësisht se nuk i është dhënë leje nga Policia e Shtetit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh i vendosur sot për të mbajtur protestën e paralajmëruar nga ai më 6 dhjetor përpara Kryeministrisë.
“Policia e shtetit njoftoi mbrëmë se nuk njeh kushtetutën dhe ligjet. Policisë i rikujtoj se Kushtetuta nuk njeh kufizimin për protestat dhe liritë e qytetarëve, por krahas kësaj ka një vendim të Kushtetueses në të cilin ajo vendos që protestuesi nuk ka asnjë detyrim të njoftojë policinë. Edi Rama po e trajton Samitin e liderëve të BE-së sikur këtu të mblidheshin të gjithë diktatorët e botës, në një kohë kur të gjithë ata që vijnë në Tiranë janë burra dhe gra të zgjedhur me votë nga qytetarët e tyre. KE-ja për të sqaruar pozicionin në raport me të drejtën e qytetarëve për protesta, kërkoi publikisht që e drejta e qytetarëve të respektohet. Refuzimi tregon fytyrën e vërtetë të regjimit që është i tmerruar nga populli shqiptar.
Në këtë protestë në datën 6 në orën 12 do të vërshojnë të gjithë ata të cilët ëndrrën europiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Do të jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë.”– tha Berisha.