Vendosni fjalën kyçe....

Putin u thotë nënave të ushtarëve rusë se ai ndan dhimbjen e tyre


“Ne ndajmë dhimbjen tuaj”- kështu u ka thënë presidenti rus Vladimir Putin një grupi nënash të ushtarëve rusë që kanë luftuar dhe disa prej të cilëve janë vrarë në Ukrainë.

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali“- tha ai në fjalën e tij hyrëse, të transmetuar në mediat shtetërore ruse.

Disa nga nënat janë anëtare të lëvizjeve pro-Kremlinit. Kritikët thonë se ata ishin zgjedhur me kujdes për takimin.

Sipas BBC-së, brenda Rusisë kundërshtimi ndaj pushtimit të tij në Ukrainë është rritur.

Në të gjithë vendin, grupet e nënave të ushtarëve në shërbim janë ankuar hapur se djemtë e tyre po dërgohen në betejë të trajnuar dobët dhe pa armë dhe veshje adekuate, veçanërisht kur fillon dimri i ftohtë.

Disa kanë akuzuar gjithashtu ushtrinë ruse se i ka kthyer ata në “mish për top“, pas një vargu humbjesh të rënda ushtarake në muajt e fundit.

Rreth 100 mijë ushtarë rusë dhe 100 mijë ukrainas janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas gjeneralit më të lartë amerikan, Mark Milley.

Në një pranim të rrallë, Kremlini tha në shtator se ishin bërë gabime në përpjekjen për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë.

 Çfarë po mendon dhe po planifikon Vladimir Putin?

Në takimin e së premtes në rezidencën e tij shtetërore pranë Moskës, Putin u shfaq i ulur në një tavolinë të madhe me një grup prej 17 nënash. Disa prej tyre mbanin shami të errëta, një simbol i zisë.

“Dua ta dini se unë personalisht dhe gjithë lidershipi i vendit e ndajmë këtë dhimbje.”- tha presidenti.

Ai i tha një nëne që djali i saj “ia kishte arritur qëllimit” dhe “nuk vdiq më kot”.

Putin tha se dëshironte të takonte nënat ballë për ballë për të dëgjuar prej tyre për situatën në terren.

Dhe ai zbuloi se herë pas here u fliste drejtpërdrejt ushtarëve rusë në fushën e betejës, duke i cilësuar ata si “heronj“.

Presidenti gjithashtu u bëri thirrje grave të mos besojnë “lajmet fake” dhe “gënjeshtra” në lidhje me luftën e furishme në TV ose internet.

Ndërsa marrja e lajmeve të balancuara për situatën në Ukrainë është e vështirë në Rusi për shkak të kontrollit të Kremlinit mbi median, shumë njerëz janë kthyer në përdorimin e rrjeteve private virtuale  për të anashkaluar censurën.

Në një transkript të takimit të lëshuar nga Kremlini disa orë më vonë, disa nga gratë u identifikuan si pjesë e lëvizjeve pro-Putin.