Kryetari i PD-së, Sali Berisha po mban sot një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me ndjekësit e tij në Facebook.
Me rastin e 3-vjetorit të tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019-ës që i mori jetën 51 personave, Berisha e nis fjalën e tij pikërisht me këtë temë.
Ndërsa përkujton tërmetin, Berisha thotë se fondet e tërmetit u përdorën për të vjedhur zgjedhjet dhe për korrupsion.
“Sot është një ditë, në të cilën tre vjet më parë, një tërmet i rëndë, i fuqishëm, tronditi thellësisht Shqipërinë dhe në qarqet e Lezhës, Krujës, Durrësit, Tiranës, bëri dëme të mëdha materiale, por mbi të gjitha, 51 qytetarë mbetën në rrënojat e këtyre shtëpive nga ky tërmet.
Më dramatike, vdekjen e pafajshme të këtyre fëmijëve, grave dhe burrave, në Thumanë dhe Durrës, që dhanë shpirt nën rrënojat e shtëpive të tyre, e bën fakti se të gjithë ata, në rast se ky shtet dhe ky kryeministër, do kishte dëshmuar përgjegjësinë me minimale, do jetonin dhe do ishin të gjallë midis nesh sot.
E them këtë, sepse të gjitha viktimat e Thumanës dhanë shpirt në rrënojat e pallateve të deklaruara të pabanueshme nga tërmeti i shtatorit të atij viti, por babëzia dhe korrupsioni nuk lejoi që ata të largoheshin, të sistemoheshin në banesa të tjera dhe të mos mungonin sot.
Sot, pas tre vitesh, problemi i fondeve të tërmetit është shndërruar në një nga mega-aferat më të mëdha të korrupsionit. Është e vërtetë që në Laç janë ndërtuar ndërtesa nga qeveria turke dhe jam mirënjohës, por në fakt qeveria i ka përdorur ndihmat për dy qëllime. Qëllimi i parë ka qenë të vjedhë, dhe në këtë kontekst, çdo ndërtim i bërë me fondet e taksapaguesve shqiptarë për tërmetin, ka kushtuar të paktën pesë herë më shtrenjtë se një ndërtim i bërë nga autoritetet turke apo donatorët e tjerë.
Së dyti, i përdori ato për të blerë votat në mënyrën më kriminale. Vetëm në muajin prill 2021, kjo qeveri shpërndau 91 milionë euro për tërmetin. Kurse në tre muajt e tërmetit, ajo shpërndau për militantët e saj, 160 milionë euro.
Megjithatë duhet thënë se sot janë qindra e mijëra familje që jetojnë te të afërmit e tyre apo në kontejnerë. Histori korrupsioni, vjedhje dhe paaftësie dëshmoi ky tërmet.”– tha Berisha.