Arrestohen 3 persona në Lezhë e në Kurbin, të cilët ishin të shpallur në kërkim për vjedhje në banesa dhe në ambiente të ndryshme.
Të arrestuarit janë Gjevahir Ceka, Gjovalin Lleshi dhe Ardian Dani. I pari besohet se ka vjedhur në banesën e një shtetasi, i dyti se ka vjedhur në Kurbin disa bagëti, ndërsa i treti akuzohet për vjedhjen e sendeve dhe materialeve të ndryshme në banesa dhe magazina.
NJOFTIMI I POLICISË
Zbardhen një sërë vjedhjesh të kryera gjatë këtij viti, nga 3 të arrestuarit me precedentë të mëparshëm kriminal, po për vjedhje.
Shërbimet e komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, në vijim të punës për goditjen e rasteve të vjedhjes, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe për nxjerrjen përpara drejtësisë, të autorëve të tyre, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Serial”.
Si rezultat i këtij operacioni, janë ndaluar shtetasit e shpallur në kërkim:
– Gj. C., 47 vjeç, banues në Lezhë, pasi më datë 21.11.2022, ka vjedhur në banesën e një shtetasi;
– Gj. Ll., 51 vjeç, banues në Kurbin, pasi më datë 08.11.2022, ka vjedhur në Kurbin, disa krerë bagëti të imta, në pronësi të një shtetasi;
– A. D., 47 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin, pasi nga veprimet hetimore, rezulton autor i disa vjedhjeve, konkretisht:
- Me datë 20.11.2022, ka vjedhur materiale, në banesën e një shtetasi;
•Me datë 09.11.2022, ka vjedhur në Lezhë, celularin e një shtetasi;
•Me datë 22.06.2022, ka vjedhur në Laç, vegla pune, në magazinën e një shtetasi.
Të 3 të ndaluarit janë shtetas me precedentë të mëparshëm kriminal, po për vjedhje. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të vjedhjeve që janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme.