Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Nuk kemi qenë kurrë më mirë se sot, njohja përfundimtare e Kosovës do vijë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë tha se shqiptarët janë sot më mirë se kurrë më parë, në raport me të huajt.

Po ashtu ai u shpreh i bindur se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë dhe se Kosova nuk do të presë gjatë.

“Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot.”- u shpreh Rama.

Duke u ndalur në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet mes dy palëve, Rama tha se në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për portin e Porto Romanos dhe në fillim të 6-mujorit të dytë të 2023-it do të nisë puna në kantier.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë më thjesht të shkëlqyera. Janë edhe produktive më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. Dhe këtë e tregojnë faktet e prodhuara nga jo thjesht mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive por edhe nga rritja e aftësisë për të zbatuar në praktikë bashkëpunimin më interes reciprok. Mjafton të shohësh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo abetaren e përbashkët.

 Një tjetër ngjarje e rëndësishme dhe e vonuar por e realizuar. Apo punën e nisur për punët e të ardhmes. Portin dhe hekurudhën. Për hekurudhhën kemi ofertuesit për studimin e fizibilitetit të porositur nga dy qeveritë me vendim të përbashkët. Në fillim të vitit të ardhshëm hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri të Durrësit që do të ndërtohet në Porto Romano dhe në fillim të 6-mujorit të dytë do jemi në kantier në portin e ri të Porto Romaos që do të jetë projekt i përbashkët që do të lidhen me Prishtinën dhe Strugë me dy porte të thata.”- tha kryeministri Rama.