Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka reaguar pas vendimit të FIFA-s, për të nisur procedurën disiplinore ndaj kombëtares së Serbisë, pas incidentit me flamurin me hartën e Kosovës.
Daçiç tha se nuk ka asgjë fyese nëse dikush thotë “Nuk ka dorëzim”, duke iu referuar tekstit mbi flamurin e diskutueshëm.
“Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, me Kosovën pjesë të Serbisë, çfarë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe çfarë është ofenduese. Ky është një tregues se sa nuk ka parime, por standarde të dyfishta. Ata kurrë nuk e ndëshkonin Ukrainën kur thoshte se ‘Donbasi është i yni’ dhe ‘Krimea është e jona’, cili është dallimi?”– pyeti Daçiç sipas REL.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar me 26 nëntor se ka nisur procedurat disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në dhomat e zhveshjes, përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.
Flamuri me mesazhin “Nuk ka dorëzim” në serbisht, u bë viral në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku. Në flamur tregohej Kosova si pjesë e Serbisë.