Vendosni fjalën kyçe....

Flamuri me hartën e Kosovës si pjesë të tyre, FIFA nis procedurat disiplinore kundër Serbisë


FIFA ka nisur procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë, pasi ekipi i saj ka varur në dhomën e zhveshjes një flamur të diskutueshëm që e përfshin Kosovën si pjesë të saj. Kjo ka ndodhur para humbjes së tyre ndaj Brazilit në Kupën e Botës.

Flamuri tregonte një skicë të Kosovës të mbushur me flamurin e Serbisë, me fjalët “Asnjë dorëzim“.

Të premten, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka paraqitur një ankesë në FIFA për “retorikën shoviniste” të Serbisë.

Në një deklaratë thuhet: “Akte të tilla shovinizmi nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, pra FFK-ja, si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion të marrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”.

Më tej thuhet: “Është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqimisht që FIFA të zbatojë me përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që përcjell futbolli”.

Ministri i Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se priste “veprime konkrete” nga FIFA kundër “mesazheve të urrejtjes, ksenofobike dhe gjenocidale” të Serbisë.

Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, por sipas rregullave të UEFA-s, Serbia dhe Kosova nuk mund të luajnë me njëra-tjetrën në kualifikueset e Kupës së Botës për shkak të tensioneve mes dy vendeve.

Serbia u mund 2-0 nga Brazili në hapjen e Kupës së Botës në Katar të enjten dhe do të luajë me Kamerunin në ndeshjen e radhës në Grupin G të hënën.