Vendosni fjalën kyçe....

Grushte e gjashtë kartona të kuq, sherr masiv në ndeshjen e kupës ruse mes rivalëve të përjetshëm (Video)


Gjashtë lojtarë u përjashtuan nga loja pasi ndeshja e Kupës së Rusisë midis rivalëve të përjetshëm Zenit e Spartak Moskë u përfshi në kaos të dielën.

Dhuna shpërtheu kur Wilmar Barrios i Zenitit u përlesh me sulmuesin e Spartakut, Quincy Promes.

Mbrojtësi brazilian i Zenitit, Rodrigao u përfshi më pas, duke u sulmuar sulmuesin tjetër të Spartakut, Shamar Nicholson, i cili u përgjigj duke e gjuajtur me grusht.

Më pas në fushë shpërtheu një përleshje e madhe ndërsa gjyqtari Vladimir Moskalev u përpoq të mbante dy grupet e lojtarëve që po përplaseshin në fushë e lojtarëve e stolit të rezervave.

Në kohën kur sherri ishte zbutur disi, Moskalev kishte ndarë kartonët e kuq për Rodrigao, Barrios dhe Malcom të Zenit si dhe Nicholson, Aleksandr Sobolev dhe portierin zëvendësues Aleksandr Selikhov për Spartak.

Zenit e fitoi ndeshjen 4-2 me penallti pasi rezultati përfundoi 0-0 në kohën e rregullt në ‘Gazprom Arena’.

Pavarësisht humbjes, Spartak përfundoi në krye të Grupit B të Kupës Ruse duke arritur në play-off, ndërsa Zenit përfundoi i treti në grup dhe do duhet të djersijë ende për të siguruar një vend në play-off.