Kosova dhe Shqipëria zhvilluan sot për herë të parë, në vigjilje të 110 vjetorit të pavarësisë së vendit tonë, mbledhjen e përbashkët mes dy Kuvendeve.
Kryeministri Edi Rama e ka shoqëruar Albin Kurtin në hyrje të Kuvendit teksa zhvillohej edhe pritja me ceremoni tradicionale, me këngë dhe valle nga trevat shqiptare.
Më pas ata kanë pozuar së bashku në hyrje të godinës, të shoqëruar edhe nga dy kryeparlamentarët Glauk Konjufska dhe Lindita Nikolla.
Mbledhja u karakterizua nga shtrëngime duarsh, mesazhe për të ecur bashkë në rrugën drejt Europës, nderimi i figurave të rëndësishme të historisë së Kombit tonë, mesazhe bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Seanca ka nisur me mbajtjen e dy himneve, fillimisht ai i Kosovës dhe më pas i Shqipërisë. Në këtë kohë të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ulur krah Ramës, në vendin e zakonshëm të kryeministrit.
Po kështu edhe Konjufca dhe Nikolla janë ulur afër njëri-tjetrit duke e drejtuar sëbashku seancën, që e hapën sëbashku.
Gjatë fjalës së saj, Nikolla u shpreh se strategjia e përbashkët e vendimeve mes dy vendeve nuk i kundërvihej asnjë bashkësie tjetër në rajonin e Ballkanit.
Ajo theksoi se dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit.
“Shtetet tona sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Në dekada kemi qenë të ndarë me mur por në qendër të vajeve tona kemi pasur në qendër njëri tjetrin. Do jemi dy entitete politike brenda BE. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes vete dhe me rajonin. Dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit.”- u shpreh Nikolla.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës i ftoi të dy vendet të jenë sa më afër për të përballuar sfidat e interesit kombëtar, përfshirë dhe qëllimet dashakaqe të Serbisë.
“Kur ishim të shtypur e jetonim nën terrorin jugosllav, popullin tonë e mbajti gjallë dashuria për tokën, kombin re gjuhën shqipe. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë.
Dy ngjarje kanë qenë të rëndësishme, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës pak vite më vonë.
Ne shqiptarëve historia na ka mësuar se aq sa duhet të festojmë duhet të reflektojmë. Bota sot është më pak e sigurt se dje si fakt i luftës në Ukrainë. I vetmi shtet i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë.
Rrnoftë dita e flamurit. Rrnoftë kombi shqiptar.”– tha Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje nga seanca e përbashkët parlamentare për rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kurti theksoi se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të takohen vetëm në raste festash, por duhet të punojnë më shpesh bashkë dhe jo të pengojnë njëra-tjetrën.
“Ndarjet krahinore ishin pengesë e prapambeturi atëherë siç janë edhe sot. Ndaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi me njëri tjetrin. Duhet të përfshihemi, por jo për të penguar.
Politika e ekonomia nuk janë çifligje por kalaja ku vëmë të gjithë nga një gur.
Duhet të jemi më shpesh bashkë. Jo vetëm në kremte, e jo vetëm ne politikanët. Të pranojmë perspektivat e ndryshme dhe të punojmë së bashku.”- tha Kurti.
Ai u shpreh i bindur dhe optimist se Shqipëria dhe Kosova “bëhen”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga ana tjetër gjatë fjalës së tij tha se shqiptarët janë sot më mirë se kurrë më parë, në raport me të huajt. Po ashtu ai u shpreh i bindur se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë dhe se Kosova nuk do të presë gjatë.
“Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot.”- u shpreh Rama.
Ai foli dhe për projektet e përbashkëta duke theksuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për portin e Porto Romanos dhe në fillim të 6-mujorit të dytë të 2023-it do të nisë puna në kantier.
Në një kohë kur kryeministri Edi Rama mbante fjalën në mbledhjen e përbashkët mes dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit.
“Fakti që u largova nga parlamenti, u largova për të përfaqësuar kombin shqiptar, të gjithë qytetarët e Kosovës që ndjehen të tradhtuar nga një kryeministër shqiptar, u largova për të përfaqësuar ndjenjat e dhjetëra-mijëra familjeve shqiptare që kanë humbur familjet e tyre nga barbaritë serbe, dhe Edi Rama prej katër muajsh, nuk lejon votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
U largova për të përfaqësuar ata dhjetëra-mijëra shqiptarë qau larguan nga Shqipëria prej politikave çnjerëzore të Edi Ramës.
Të gjitha këto janë arsyet që nuk mund të pranoja të dëgjoja ligjëratën e një njeriu, që pas Enver Hoxhës është armiku më i egër i kombit shqiptar.”- tha Berisha.