Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, çfarë thanë dy kryeparlamentarët Nikolla e Konjufca


Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet seanca e përbashkët plenare me Kosovën. Në këtë seancë të veçantë, në fjalën e hapjes kryeparlamentarja Lindita Nikolla përmendi disa prej sfidave që shqiptarët kaluan për të shkuar deri në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e një shteti demokratik.

Gjatë fjalës së saj, Nikolla u shpreh se strategjia e përbashkët e vendimeve mes dy vendeve nuk i kundërvihej asnjë bashkësie tjetër në rajonin e Ballkanit.

Ajo theksoi se dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit.

“Në një sallë si kjo, tempulli i demokracisë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjës, ata që luftuan kundër okupatorëve, sot është dita për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndrimtarët, klerin. Po ashtu edhe studentët e dhjetorit të viteve ’90. Historia nuk është vetëm rrëfim por edhe një shkollë që na sjell idetë triumfuese prej të cilave duhet të marrim mësim. Mënyra e të menduarit e shqiptarëve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeostrategjik. Sfidat e Shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta. Sot Shqipëria ka hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Në 6 dhjetor Tirana do jetë kryeqyteti i Europës ku do të mblidhen krerët e 27 vendeve anëtare. Shtetet tona sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Në dekada kemi qenë të ndarë me mur por në qendër të vajeve tona kemi pasur në qendër njëri tjetrin. Do jemi dy entitete politike brenda BE. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes vete dhe me rajonin. Dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit”- u shpreh Nikolla.

Pas Nikollës, mori fjalën edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca i cili uroi festën e flamurit.

“Na ka bërë tok në Tiranë dita më e rëndësishme e kombit tonë 28 nëntori, le t’i përshëndesim të gjithë shqiptarët kudo që janë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Bujanovc, Preshevë e Medvegj, por dhe në Greqi, Itali e SHBA. Jemi këtu e jemi me ju dhe juve ju kemi në zemër, urime dita e flamurit. 28 nëntori mban të gjitha aspiratat e përbashkëta, ka simbolikën e nevojshme për të mbajtur kujtimet tona më të çmuara.

28 nëntori është i Shqipërisë po aq sa është i Kosovës. Pikërisht në këtë ditë lindi dhe heroi i madh shqiptarisë Adem Jashari i cili u sakrifikua me të afërmit e tij në Prekaz në luftën me liri. Lufta e lavdishme e popullit tonë e largoi okupatorin dhe i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë.”– tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës i ftoi të dy vendet të jenë sa më afër për të përballuar sfidat e interesit kombëtar, përfshirë dhe qëllimet dashakaqe të Serbisë.

Kur ishim të shtypur e jetonim nën terrorin jugosllav, popullin tonë e mbajti gjallë dashuria për tokën, kombin re gjuhën shqipe. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë.
Dy ngjarje kanë qenë të rëndësishme, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës pak vite më vonë.
Ne shqiptarëve historia na ka mësuar se aq sa duhet të festojmë duhet të reflektojmë. Bota sot është më pak e sigurt se dje si fakt i luftës në Ukrainë. I vetmi shtet i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë.
Rrnoftë dita e flamurit. Rrnoftë kombi shqiptar.”– tha Konjufca.