Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje nga seanca e përbashkët parlamentare për rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kurti theksoi se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të takohen vetëm në raste festash, por duhet të punojnë më shpesh bashkë dhe jo të pengojnë njëra-tjetrën. Ai u shpreh i bindur dhe optimist se Shqipëria dhe Kosova “bëhen”.
“Ndarjet krahinore ishin pengesë e prapambeturi atëherë siç janë edhe sot. Ndaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi me njëri tjetrin. Duhet të përfshihemi, por jo për të penguar.
Politika e ekonomia nuk janë çifligje por kalaja ku vëmë të gjithë nga një gur.
Duhet të jemi më shpesh bashkë. Jo vetëm në kremte, e jo vetëm ne politikanët. Të pranojmë perspektivat e ndryshme dhe të punojmë së bashku.
Motra e vëllezër nesër shënojmë 110 vjetorin e pavarësisë ndërsa sot 25 vjetorin e shpalljes së UÇK në Llaushë. Bëjmë tani edhe për të ardhmen, nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecim bashkë. Në Kosovë i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, të çdo qeveria. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj para. Urojmë që suksesit të Shqipërisë veç t’ju shtohen për çdo ditë të flamurit. Jam e sigurt se njëlloj gëzoheni edhe ju për sukseset tona.
Mesazh ata që kanë marrë rrugën e kurbetit. Kjo ditë është më së shumti e juaja. Jeni mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona, por dhe burim kulture dhe demokracie. E di se aty nuk po shkoni për qejf por prej brengës.
E di që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që t’ju bindim që të rrisni fëmijët në atdhe, por ju garantoj se këtë betejë do ta fitojmë deri në fund. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet!”- tha Kurti.