Protestat shpërthyen në Kinë këtë fundjavë, me qytetarët që dolën rrugëve në Shangai, Wuhan, Pekin dhe qytete të tjera, që kërkonin fundin e kufizimeve të rrepta të qeverisë për Covid. Videot e shpërndara në mediat sociale supozohet se tregojnë disa protestues që bëjnë thirrje për rrëzimin e Partisë Komuniste Kineze.
Turmat në Shangai shprehën zemërimin e tyre për të dytën ditë radhazi të dielën, duke brohoritur parulla anti-qeveritare, ndërsa policët e rreshtuar përballë shikonin. Sipas një llogarie në Twitter që ndjek protestat, turma thirri ‘Partia Komuniste të largohet, Xi Jinping të dorëhiqet!’.
Zyrtarët e qytetit të Shangait vendosën një bllokim dy-mujor në mars, duke kufizuar më shumë se 20 milionë njerëz në shtëpitë e tyre në mes të një rritjeje të rasteve të koronavirusit. Pjesë të qytetit u kthyen në izolim në fund të tetorit, me banorët e urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi derisa të tregojnë një rezultat negativ të testit Covid-19.
Ndërsa bllokimet kanë çuar në përplasje midis qytetarëve dhe policisë, demonstratat masive vërehen rrallë në Kinë. Protestat e fundit besohet se kanë nisur pasi një bllok apartamentesh në Urumqi u dogj, duke vrarë të paktën 10 persona sipas raporteve të mediave perëndimore.
Qyteti ka qenë nën izolim që nga gushti dhe protestuesit kanë fajësuar kufizimet e Covid për pengimin e përpjekjeve të shpëtimit. Zyrtarët e qytetit thanë të shtunën se do heqin disa nga kufizimet.
Studentët në Pekin dhe Nanjing thuhet se mbajtën demonstrata të dielën, ndërsa pamjet video tregojnë mijëra njerëz që demonstrojnë në Wuhan, epiqendra origjinale e virusit. Ashtu si Shangai, në fund të tetorit ajo gjithashtu u kthye në bllokim.
Një video, që supozohet se është xhiruar në Wuhan të dielën, tregon demonstruesit që rrëzojnë barrierat e ngritura për të ruajtur distancën sociale.
Në mbrëmje, video tregonte policinë e Shangait duke arrestuar protestuesit. Nuk dihet se sa janë arrestuar, apo nëse arrestime të ngjashme janë bërë edhe në qytete të tjera.
Qeveria e Xi Jinping ka ndjekur një politikë të rreptë lidhur me Covid që kur koronavirusi u shfaq për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019, megjithëse autoriteteve lokale u është dhënë njëfarë lirie në mënyrën se si zbatohen masat si testimi dhe mbyllja e shkollave.
Pavarësisht këtyre politikave, Kina regjistroi numrin e saj më të lartë ndonjëherë të infeksioneve ditore me Covid-19 të mërkurën, duke regjistruar 31,444 raste të reja.