Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët evropianë po përballen me vështirësi, megjithatë do vijojmë ta mbështesim Ukrainën – Shefi i NATO-s


Evropianët janë gati të përballen me vështirësi të shumta për shkak të mbështetjes perëndimore për Kievin, tha të dielën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg për gazetën gjermane ‘Welt an Sonntag’.

Pavarësisht kësaj, ai këmbënguli që anëtarët e bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA dhe aleatët e tyre duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të forcuar forcat ukrainase.

Në komentet e tij për gazetën, Stoltenberg pranoi se qytetarët e vendeve perëndimore po preken negativisht nga konflikti në Ukrainë.

“Rritja e faturave të ushqimit dhe energjisë do të thotë kohë të vështira për shumë familje në Evropë.” – tha ai, duke shtuar megjithatë se evropianët ‘duhet të kujtojnë se populli i Ukrainës paguan me gjakun e tij çdo ditë’.

Shefi i NATO-s vuri në dukje gjithashtu se Perëndimi mund të ‘forcojë pozicionin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve nëse i ofrojmë mbështetje ushtarake vendit’.

“Mënyra më e mirë për të mbështetur paqen është të mbështesësh Ukrainën.” – tha ai.

Ai vlerësoi Gjermaninë për armët që po dërgon në Kiev, duke pretenduar se ato ‘shpëtojnë jetë’.

Sipas Stoltenberg, Rusia do përpiqet të përdorë ‘dimrin si armë’ kundër Ukrainës. Kjo deklaratë i bën jehonë vërejtjeve të fundit në të cilat ai paralajmëroi se muajt e ardhshëm do jenë të vështirë për Kievin.

Rusia filloi të shënjestrojë objektet energjetike të Ukrainës në fillim të tetorit, pasi akuzoi Kievin për sulme ndaj infrastrukturës së saj kritike, përfshirë urën strategjike të Krimesë.

Vendet perëndimore vendosën sanksione të reja gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë pasi Moska filloi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë. Kufizimet çuan në rritje të çmimeve të gazit, duke nxitur kështu krizën në rritje të energjisë në BE. Kjo erdhi gjithashtu pasi blloku njoftoi planet për të hequr dorë nga energjia ruse.