Cristiano Ronaldos i është ofruar një marrëveshje prej 225 milionë dollarësh për t’iu bashkuar klubit të Arabisë Saudite Al Nassr, sipas një raporti nga CBS. 37-vjeçari është në kërkim të një klubi të ri pasi kontrata e tij me Manchester United u ndërpre me pëlqim të ndërsjellë në fillim të nëntorit.
Sipas gazetës amerikane, Al Nassr është gati t’i paguajë Ronaldos 75 milionë dollarë në vit në një kontratë trevjeçare që do e bënte atë të luante deri në të 40-at.
Koha e Ronaldos te Manchester United përfundoi me një intervistë shpërthyese televizive me Piers Morgan, në të cilën futbollisti kritikoi figura të shumta në ‘Old Trafford’, duke përfshirë menaxherin Erik ten Hag dhe pronarët amerikanë, familjen Glazer.
Sipas CBS Sports, Al Nassr me bazë në Riad shpreson se Ronaldo ‘do jetë i etur për të luajtur në terren të ri’ duke shkuar në Lindjen e Mesme pasi të ketë përfunduar fushatën e tij me Portugalinë në Botërorin e Katarit.
Ronaldo kërkoi të largohej nga Manchester United para nisjes së sezonit me shpreson për të gjetur një ekip që luan në Ligën e Kampionëve, por pa sukses.
Ronaldo i konfirmoi gazetarit britanik se ai kishte hedhur poshtë më herët një ofertë nga Arabia Saudite gjatë verës, thuhet me vlerë rreth 360 milionë dollarë nga Al-Hilal.
CBS thotë se shkuarja te nëntë herë kampionët saudit Al Nassr është ‘e vetmja kontratë formale e ofruar’ për Ronaldon që kur ai u nda me United.
Ronaldo shënoi gol me 11 metërsh në ndeshjen e parë që Portugalia fitoi ndaj Ganës 3-2 të enjten.
Goli e bëri Ronaldon lojtarin e parë që shënon në pesë edicione të finaleve të Kupës së Botës dhe e rriti rekordin e tij ndërkombëtar në 118 gola.
Portugalia do të luajë me rivalët e Grupit Hb, Uruguain të hënën në stadiumin ‘Lusail’, para se të përballet me Korenë e Jugut të premten në stadiumin ‘Education City’.