Documento, një gazetë e përjavshme greke, botoi një listë me shumë njerëz që dyshohet se janë spiunuar nga programi i spiunimit Predator, duke përfshirë ish-shefin e policisë greke Michalis Karamalakis, prokuroren e Shërbimit të Inteligjencës Greke Vasiliki Vlachou, ministren e Arsimit Niki Kerameus dhe zëdhënësin e qeverisë, Yiannis Ikonomou.
Duke mohuar akuzat, Ikonomou tha se akuzat do shqyrtohen nga gjyqësori. Delegacioni përkatës i parlamentit do takohet të hënën për të diskutuar mbi akuzat në lidhje me skandalin e përgjimeve, raportojnë mediat vendase.
Skandali i mbikqyrjes
Më 8 gusht, kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga agjencia e inteligjencës greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali u shfaq për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, asokohe kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (EYP), i tha një komisioni parlamentar se agjencia e inteligjencës kishte spiunuar gazetarin hulumtues Thanasis Koukakis.
Më 5 gusht, Kontoleoni, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të zyrës së kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqjen.
Një hetim parlamentar filloi pasi Androulakis u ankua te prokurorët e lartë për një përpjekje për të hakuar telefonin e tij celular me programin Predator.
Më herët, Documento publikoi një listë me 33 persona të dyshuar të spiunuar nga EYP me urdhër të drejtpërdrejtë nga Dimitriadis, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, zv. ministrin e Mbrojtjes Nikos Hardalias, ministrin e Zhvillimit Adonis Georgiadis, ministrin e Punës Kostis Hatzidakis, ministrin e Financave Christos Staikouras, ish-kryeministrin Antonis Samaras, ish-ministrin e Rendit Michalis Chrysochoidis dhe ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Alexandros Diakopoulos.
Partitë opozitare kanë fajësuar kryeministrin Mitsotakis për skandalin dhe kanë kërkuar që qeveria e tij të mbajë zgjedhje të parakohshme, diçka që ai e kundërshton.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po mbikëqyrin nga afër zhvillimet në lidhje me skandalin.