Vendosni fjalën kyçe....

“Xi Jinping largohu!” – Protestuesit i kërkojnë hapur presidentit kinez të japë dorëheqjen për shkak të masave të rrepta anti-Covid


Protestat në Kinë kundër masave të rrepta të qeverisë për Covid-19 janë intensifikuar, me shumë njerëz që shprehin publikisht zemërimin e tyre ndaj drejtuesve të Partisë Komuniste.

BBC shkruan se mijëra protestues dolën në rrugët e Shangait, ku shumë prej tyre janë shoqëruar nga policia.

Studentët kanë demonstruar edhe në universitetet në Pekin dhe Nanjing.

Trazirat e fundit pasojnë një protestë në qytetin e largët veriperëndimor të Urumqi, ku rregullat e bllokimit u konsideruan fajtorë për ngjarjen ku 10 njerëz vdiqën në një zjarr në një kullë.

Ndërsa autoritetet kineze mohojnë që masat anti-Covid shkaktuan vdekjet, zyrtarët në Urumqi publikuan një falje të pazakontë vonë të Premten dhe u zotuan të “rikthejnë rendin” duke hequr gradualisht kufizimet.

“Xi Jinping, largohu”

Në protestën në Shangai, i cili është qyteti më i madh i Kinës dhe një qendër globale financiare në lindje të vendit, njerëzit u dëgjuan duke bërtitur hapur parulla të tilla si “Xi Jinping, largohu” dhe “Partia komuniste, largohu“.

Disa mbanin pankarta të bardha bosh, ndërsa të tjerët ndezën qirinj dhe vendosën lule për viktimat në Urumqi.

Kërkesa të tilla janë një pamje e pazakontë brenda Kinës, ku çdo kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe presidentit mund të rezultojë në dënime të ashpra.

Por analistët thonë se qeveria duket se ka nënvlerësuar në mënyrë drastike pakënaqësinë në rritje ndaj qasjes zero-Covid, një politikë e lidhur ngushtësisht me Xi Jinping, i cili kohët e fundit u zotua se nuk do të shmangej prej saj.

Protestat paraqesin sfidë të madhe për liderët e Kinës

Një protestues në Shangai i tha BBC-së se ndihej “i tronditur dhe pak i emocionuar” kur shihte njerëz në rrugë, duke e quajtur këtë herën e parë që ai kishte parë një disidencë kaq të gjerë në Kinë.

Ai tha se bllokimet e bënë të ndihej “i trishtuar, i zemëruar dhe i pashpresë” dhe e kishin lënë të paaftë për të parë nënën e tij të sëmurë, e cila po i nënshtrohej trajtimit të kancerit.

Një demonstruese i tha BBC-së se oficerët e policisë u pyetën se si ndiheshin për protestat dhe përgjigja ishte “e njëjtë si ju”. Por, tha ajo, “ata veshin uniformat e tyre kështu që po bëjnë punën e tyre.”

Të tjerë u ankuan për dhunë, me një protestues që i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se një nga miqtë e tij ishte rrahur nga policia në vendngjarje, ndërsa dy të tjerëve ishin spërkatur me piper.