Vendosni fjalën kyçe....

Arseniku u gjet në trupin e ish-presidentit të burgosur gjeorgjian – Avokati hedh dyshime për helmim


Thonjtë e prerë të marra nga ish-presidenti i burgosur i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, kanë rezultuar pozitivë për arsenik, ka pohuar avokati tij para një seance gjyqësore. Mbështetësit e ish-liderit kanë pohuar se ai është i sëmurë rëndë dhe ka pasur metale të rënda toksike në trup.

Shalva Khachapuridze, i cili përfaqëson Saakashvilin, tha të hënën se rezultatet e testit toksikologjik të mostrave të klientit do jenë të disponueshme më vonë gjatë ditës. Prania e elementit helmues u konfirmua në një telefonatë, u tha ai gazetarëve të hënën, sipas televizionit privat ‘Mtavari Arkhi’.

Saakashvili hyri fshehurazi në Gjeorgji në vitin 2021 përpara zgjedhjeve komunale, pavarësisht rrezikut për t’u arrestuar dhe përballjes me akuza të ndryshme. Në atë kohë, ai ishte dënuar tashmë në mungesë bazuar në disa nga akuzat, ndërsa të tjerat ishin ende në pritje. Të premten, ai do dalë para një gjykate për shkeljen më të fundit të supozuar, kalim i paligjshëm i kufirit kombëtar, tha Khachapuridze.

Avokati deklaroi se klienti i tij ndoshta do duhej të përdorte një karrige me rrota për të ndjekur procedurën sepse nuk mund të ecë më siç duhet.

Mbështetësit e Saakashvilit kanë pohuar më parë se gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm në paraburgimin gjeorgjian. Ai thuhet se është diagnostikuar me të paktën 17 sëmundje, duke përfshirë tuberkulozin dhe çmendurinë.

Më herët në nëntor, një mjeke nga një OJQ me bazë në Gjeorgji pretendoi se mostrat e flokëve të marra nga Saakashvili kishin treguar gjurmë të merkurit dhe dy metaleve të tjera të rënda, të cilat ajo i vlerësoi si prova të një helmimi të mundshëm.

Ministria e Drejtësisë së Gjeorgjisë ka reaguar duke i kërkuar Byrosë Kombëtare të Mjekësisë Ligjore që të ekzaminojë të burgosurin e profilit të lartë.