Vendosni fjalën kyçe....

Begaj: Shqiptarët komb që s’bën kompromise me askënd që cenon dinjitetin kombëtar, duhet më shumë punë për Kosovën


Presidenti Begaj deklaroi mbrëmjen e sotme se faktori shqiptar edhe pse i ndarë në disa shtete, ka qenë e do jetë i bashkuar për sa i përket synimit të përbashkët për integrimin në BE.

Kreu i Shtetit theksoi në fjalën e tij në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit në 110 vjetorin e Pavarësisë e brezat e rinj duhet të shohin qartë një perspektivë zhvillimi në Shqipëri ndërsa shtoi se shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit duhet të kenë të drejtën e votës.

Po kështu Begaj shprehu mbështetjen e tij për Kosovën duke bërë thirrje për më shumë punë për njohjen e saj si dhe për liberalizimin e vizave.

“Sot festojmë 110 vjetorin kur patriotë e delegatë me përgjegjësi kombëtare e historike pagëzuan një zëri shtetin e ri shqiptar. Kishin fe e formime të ndryshme por ndanin të njëjtin vizion për Shqipërinë e pavarur e demokratike. Kanë mirënjohjen e nderimin tonë të përjetshëm. Shqipëria sot anëtare e denjë e NATO-s. Vendi ynë përfaqësohet denjësisht edhe në OKB si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria ka treguar që është derë e hapur për miq e persona në nevojë. Nisja e negociatave për anëtarësim në BE njeh angazhimin në vite të institucioneve.

Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar ka qenë është e do të jetë i bashkuar në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen euroatlantike. Integrimi në BE duhet të jetë shtysa për bashkëpunimin për të çuar para reformat. Brezat e rinj kanë nevojë të shohin perspektivë të qartë zhvillimi. Diaspora duhet të ketë të drejtën e votës. Ftoj aktorët politikë mediat e shoqëritë civile, t’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër, të denjë për BE. Duhet të kontribuojmë më tej për njohjen e shtetit të Kosovës dhe të mbështesim liberalizimin e vizave. Historia e shqiptarëve, histori që na bën krenar, e një kombi që nuk bën kompromis me askënd që cënon dinjitetin tonë kombëtar.” – tha Begaj.