Ish-presidenti Donald Trump e etiketoi këngëtarin Kanye West të shtunën si ‘seriozisht me probleme’ pasi reperi polemizues vizitoi shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në Florida javën e kaluar.
“Unë po ndihmoj një burrë me probleme serioze, i cili është një person me ngjyrë, Ye (Kanye West), i cili është shkatërruar në biznesin e tij dhe pothuajse çdo gjë tjetër, dhe që ka qenë gjithmonë i mirë me mua, duke lejuar kërkesën e tij për një takim në Mar-a-Lago, në mënyrë që t’i jap atij ‘këshilla’ shumë të nevojshme.” – shkroi Trump në mediat sociale, duke iu referuar polemikave të West, që i shtynë kompanitë e mëdha të largoheshin nga sponsorizimet e modës me reperin.
Trump komentoi vizitën e West pas një stuhie të mbulimit mediatik që ndodhi pas takimit, kur u zbulua se West solli Nick Fuentes, një supremacist i bardhë, në darkë si mysafir.
Në një deklaratë, Trump i tha Breitbart Neës të premten pas takimit se ai nuk dinte asgjë për Fuentes dhe pikëpamjet e tij.
Në rrjetet sociale, Trump tha se West pritej të vinte vetëm dhe ai nuk e dinte se cilët ishin mysafirët e West.
“Ai u shfaq me 3 persona, dy prej të cilëve nuk i njihja, tjetri një person politik që nuk e kam parë prej vitesh.” – shkroi ai, duke iu referuar të ftuarve të West, mes të cilëve ishte edhe ish-ndihmësja e Trump, Karen Giorno, e cila thuhet se iu bashkua fushatës së West dhe ishte me Fuentes.
Ish-presidenti iu drejtua gjithashtu njoftimit të West se do të kandidonte për president në vitin 2024.
“I thashë mos kandido për zgjedhjet presidenciale, pasi do jetë një humbje totale kohe, nuk mundet të fitojë.” – vërejti Trump.
West pretendoi në një video të publikuar në rrjetet sociale pas takimit se Trump ishte i zemëruar kur i kërkoi ish-presidentit të kandidonte me të si zëvendëspresident.
“Mendoj se gjëja për të cilën Trump u shqetësua më shumë, ishte kur unë i kërkova të ishte zëvendëspresidenti im.” – tha West.
West tha se Trump ‘në thelb po më bërtiste në tryezë duke më thënë se do humbas’.