Vendosni fjalën kyçe....

Etiketa “Made in Italy” por ishin prodhuar në Shqipëri, Bullgari e Tunizi – Zbulohen 75 mijë veshje me vlerë 8 milionë euro në Itali


Guarda di Finanza ka zbuluar një sasi prej rreth 75 mijë veshjesh në Venecia të Italisë, vlera e të cilave shkonte diku te 8 milionë euro.

Veshjet me etiketë “Made in Italy”, rezultojnë se nuk janë prodhuar në Itali por të gjitha jashtë vendit.

Në kuadër të këtij operacion, u ndalua një kamion që vinte nga Bullgaria dhe mbante një sasi të madhe veshjesh me shkrimin “MADE IN ITALY”, me flamurin italian apo me etiketën “FINEST ITALIAN FABRICS”. Kamioni u ndalua pasi u vërtetua origjina dhe destinacioni i tij.

Siç shkruajnë mediet italiane, hetimet e mëtejshme zbuluan se fazat e përpunimit, prodhimit dhe paketimit të veshjeve të etiketuara “Made in Italy” zhvilloheshin ekskluzivisht jashtë vendit, në kontrast me atë që kërkohet nga legjislacionin specifik të sektorit.

Në detaje, veshjet janë prodhuar dhe paketuar në Bullgari, Shqipëri dhe Tunizi, përpara se të importoheshin në Itali nga kompania me qendër në Brescia.

Pas këtyre gjetjeve, autoriteti gjyqësor kompetent ka lëshuar dekrete të veçanta kërkimi dhe sekuestrimi ndaj 400 objekteve tregtare në të gjithë Italinë, klientëve të shtëpisë së modës në Brescia dhe shitësve të pavetëdijshëm të veshjeve me informacion të rremë.