Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, mbajti qëndrim lidhur me praninë e ministrit të Jashtëm të Serbisë Daçiç në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, që u zhvillua në Londër.
Ajo kundërshtoi t’i përgjigjej një pyetjeje mbi dhënien e ndihmës për viktimat e dhunës seksuale në luftë, duke thënë se nuk mund të fliste për këtë ndërkohë që në panel para saj ishte ftuar të fliste Daçiç, i cili, tha ajo, është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Millosheviç.
“Drejtësia është gjithmonë kyçe në këtë çështje, pra çështja e sjelljes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, është kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht detyrë e secilit. Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryersit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit. Prandaj pyetja që kam unë sot këtu për ju dhe të gjithë është se si autorët duhet të përballen dhe të mbahen si llogaridhënës për atë çfarë kanë bërë.” – tha Gërvalla, shkruan Koha.
Më tej Gërvalla tha se arkitekti kryesor i gjenocidit në Ballkan, nuk mund të japë këshilla për çështjen në fjalë në prani të viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit.
“Jam paksa e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konferencë. Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryerësit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë.” – tha Gërvalla.
I gjendur pa përgatitur për fjalë të tilla, drejtuesi i konferencës në panel, nuk e kishte idenë se kush ishte personi për të cilin fliste ministrja e Jashtme e Kosovës.
“Flet për Ivica Daçiçin.” – i tha një nga të ftuarat me zë të ulët, drejtuesit të konferencës, përshpërima e të cilëve u dëgjua nga mikrofoni i ndezur.
Megjithatë, ishte vetë ministrja Gërvalla që sqaroi se për kë e kishte fjalën.
“Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviçit në vitet 1992-2000. Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari respektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat. Më falni, por nuk dua të përgjigjem për pyetjen tuaj, jo për mosrespekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend asnjanës me autorët e këtyre krimeve. Ky është detyrimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër.” – tha ministrja e Jashtme e Kosovës.