Vendosni fjalën kyçe....

Persona të armatosur sulmojnë spitalin në Ekuador në përpjekje për të vrarë një adoleshent


Policia në Ekuador ka arrestuar shtatë persona të armatosur që sulmuan një spital në përpjekje për të vrarë një adoleshent që po trajtohej atje.

Anëtarët e bandës morën peng infermierët dhe shkëmbyen zjarr me policinë përpara se të ndaloheshin.

Sipas BBC-së, zyrtarët thanë se të gjithë pengjet u liruan dhe askush nuk u lëndua.

Objektivi i sulmit ishte një 17-vjeçar, i njohur me nofkën “Fytyra e pistë”, i cili mendohet të jetë një anëtar i bandës rivale. Adoleshenti ndodhet në terapi intensive duke u shëruar nga plagët e plumbave.

Personat e armatosur mbajtën peng pesë anëtarë të stafit për më shumë se një orë, tha një punonjës për gazetën lokale El Diario.

Videoja që qarkullon në mediat sociale duket se tregon burra të veshur me kapuç duke mbajtur armë dhe për një kohë të shkurtër e shtyjnë një grua duke bërtitur në një nga dyert e daljes së spitalit përpara se ta tërhiqnin zvarrë në ndërtesë.

Punonjës të tjerë të spitalit në qytetin Chone, në Ekuadorin perëndimor, thanë se ishin mbyllur në dhoma ndërsa personat e armatosur thyenin dyert në kërkim të adoleshentit.

“Ata nuk e dinin strukturën e spitalit, me sa duket, dhe kjo është arsyeja pse këta delikuentë po bridhnin në të gjithë spitalin.”- tha Homero Andrade, i cili përfaqëson punonjësit në spital, për El Diario.

“Falë Zotit dhe policisë ne jemi ende këtu për të treguar historinë.”- shtoi Andrade.

Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, falënderoi gjithashtu policinë, duke thënë se ndërhyrja e tyre ka shpëtuar jetë.

Presidenti ndau pamjet në Twitter që tregonin oficerë të armatosur të gatshëm për të hyrë në ndërtesë përpara arrestimeve.