Vendosni fjalën kyçe....

Tetë viktima dhe katër të zhdukur – Shpallet gjendja e emergjencës në ishullin italian

Balta që shkatërroi një pjesë të ishullit Ischia të Italisë pas përmbytjes së mëngjesit të së shtunës, vazhdon të nxjerrë viktima.

Siç shkruan Ansa.it, ekipet e shpëtimit që punojnë në via Celario kanë identifikuar dhe nxjerrë viktimën e tetë të përmbytjes dhe rrëshqitjes së dherave.

Bëhet fjalë për një person, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.

Në ishull operojnë 160 zjarrfikës me 70 automjete nga Campania, Lazio, Toscana, Abruzzo, Puglia, Molise.  Po punohet sa më shpejt për të mbajtur gjallë shpresën për të shpëtuar katër të zhdukurit, që ende nuk janë gjetur pas zbulimit të 8 viktimave.

Kjo ishte një natë e dytë me dhimbje për banorët e ishullit, por edhe e punës së shpëtimtarëve dhe vullnetarëve të angazhuar në kërkime. 230 personat e zhvendosur kanë frikë se nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Qeveria italiane u mblodh sot në Palazzo Chigi ku ndau dy milionë eurot e para dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme që do të zgjasë një vit.

“Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes Civile, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme e cila do të pasohet me urdhër të kreut të Mbrojtjes Civile dhe ka bërë një ndarje fillestare prej 2 milionë eurosh”- kështu ka bërë të ditur ministri për Jug, Nello Musumeci sipas Ansa.it.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka shprehur synimin e saj për të shkuar sa më shpejt në Ischia. Kështu ka raportuar ministri për Jugun. Musumeci iu përgjigj gazetarëve që e kanë pyetur për kohën e vizitës se: “Të shkosh atje tani do të ishte vetëm një pasarelë”.

Ministri Nello Musumeci duke folur para gazetarëve

Viktimat e konfirmuara janë:

Eleonora Sirabella, 31 vjeç;

Vëlla e motër, Francesco Monti (lindur në 2011) dhe Maria Teresa Monti (2016), prindërit e të cilëve dhe djali tjetër janë ende të zhdukur.

Mes viktimave është familja e Maurizio Scotto di Minico (lindur në 1990), Giovanna Mazzella (lindur në 1992) dhe GiovanGiuseppe Scotto Di Minico, 22 ditësh, i gjetur nga zjarrfikësit.

Gjithashtu është gjetur i pajetë edhe trupi i Nikolinka Gançeva Blangova, me kombësi bullgare, 58 vjeçe.

Trupi i të porsalindurit u gjet brenda një shtëpie nga zjarrfikësit me shumë vështirësi. Ndërsa vajza e moshës 5-6 vjeçe kishte veshur pizhame rozë. Trupi i saj u gjet në dhomën e gjumit, nën një dyshek, të një shtëpi të përfshirë nga rrëshqitja e dheut.