Vendosni fjalën kyçe....

Tifozët në Katar ‘qesëndisin’ Gjermaninë pas protestës së shiritit ‘One Love’


Tifozët e futbollit në Katar u ‘tallën’ me Gjermaninë në ndeshjen kundër Spanjës, të dielën mbrëma, duke u parë duke mbuluar gojën dhe duke tundur postera të fituesit të Kupës së Botës Mesut Ozil.

Duke protestuar ndaj vendimit të FIFA-s për të mos lejuar kapitenin Manuel Neuer të mbante shiritin ‘One Love’ në mbështetje të personave LGBTQ, lojtarët gjermanë kishin mbuluar gojën, teksa po bënin foton përpara ndeshjes hapëse kundër Japonisë më herët në turne.

Disa tifozë në tribunat në ‘Al Bayt’ organizuan një protestë ‘hakmarrëse’ të dielën, me disa që u panë duke ecur përreth teksa mbulonin gojën dhe duke tundur pamjet e ish-yllit të Gjermanisë, Ozil.

Ozil u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar pas largimit të hershëm të Gjermanisë nga Kupa e Botës Rusi 2018, duke akuzuar mediat kombëtare se e kishin bërë ‘kokë turku’ dhe duke sugjeruar se ai ishte subjekt i racizmit për shkak të rrënjëve të tij turke, duke përfshirë edhe Federatën Gjermane të Futbollit (DFB).

Tifozët në Katar e bënë të qartë mesazhin e tyre, në ato që shiheshin gjerësisht si akuza për hipokrizi drejtuar figurave të futbollit gjerman në lidhje me protestat e tyre dhe trajtimin e supozuar kontradiktor të Ozilit.

Katër herë kampionët Gjermania arriti të marrë një barazim të vonë ndaj Japonisë në Grupin E duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën finale të Botërorit të Katarit.