Qeveria italiane po planifikon të vendosë një taksë 50% për të ardhurat që kompanitë e energjisë kanë marrë për shkak të rritjes së çmimeve globale të naftës dhe gazit, raportoi Reuters të hënën, duke cituar një draft të buxhetit të vendit për vitin 2023.
Sipas raportit, ai do zbatohet për pjesën e të ardhurave të një kompanie për vitin 2022, e cila rezulton të jetë të paktën 10% më e lartë se mesatarja e saj midis 2018 dhe 2021.
Megjithatë, taksa do kufizohet në 25% të vlerës së aktiveve neto të çdo kompanie në fund të vitit 2021. Sipas kushteve të përcaktuara në buxhet, pritet që rreth 7000 kompani që prodhojnë dhe shesin gaz natyror, energji elektrike e produkte tw naftës do jenë në shënjestër të taksës së re.
Javën e kaluar, Thesari i Italisë prezantoi një version tjetër të projektbuxhetit, me një taksë 35% në vend të 50%, e cila do llogaritej në bazë të fitimeve në vend të të ardhurave. Taksa e tanishme për kompanitë e energjisë në vend është 25%. Versioni përfundimtar i buxhetit pritet të publikohet zyrtarisht.
Italia po përballet me inflacionin në rritje, i cili arriti në nivelin më të lartë të 40 viteve muajin e kaluar. Çmimet u rritën me 11.9% në tetor, të nxitura kryesisht nga kostot e energjisë, të cilat u rritën me 71.1% nga viti në vit, tregojnë të dhënat zyrtare.