Katari dëshiron të bëhet fuqi globale e gazit duke investuar në ‘qindra anije’ që mund të transportojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG), tha të martën ministri i Energjisë i Katarit.
Vendi i Gjirit është në procesin e ndërtimit të ‘flotës më të madhe të anijeve në botë’ për të eksportuar LNG, tha Saad Sherida Al-Kaabi, i cili është gjithashtu president dhe shef i QatarEnergy, për të përditshmen gjermane Bild.
Për flotën janë investuar 20.7 miliardë dollarë ndërsa ajo po ndërtohet në Kinë e Korenë e Jugut. Do ketë ‘qindra anije’ që do e bëjnë Katarin një fuqi globale të gazit, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, al-Kaabi nënshkroi një kontratë me Gjermaninë, e cila do marrë çdo vit 2 milion ton LNG, duke filluar nga viti 2026.
“Kjo është marrëveshja e parë që kemi bërë ndonjëherë në Gjermani. Siç e dini, nuk ka terminal (LNG) në Gjermani. Një i ri po ndërtohet.” – tha ai.
“Nëse shikoni konsumin e përgjithshëm, kjo korrespondon me rreth 3% të konsumit gjerman të gazit.” – shtoi ai.
KatarEnergy dhe firmat gjermane të shërbimeve thuhet se ishin përfshirë në negociata të vështira për një marrëveshje LNG për pjesën më të madhe të këtij viti, ndërsa Berlini kërkon të zëvendësojë Rusinë, e cila është furnizuesi më i madh i gazit në Gjermani.
Gjermania, e cila kryesisht varet nga gazi natyror për ekonominë e saj, shpreson të zëvendësojë të gjitha importet ruse të energjisë që në mesin e vitit 2024.