Nga 20 artikujt më të importuar në vlerë në 10 mujorin, një e katërta janë produkte ushqimore me një vlerë totale rreth 125 miliardë lekë rreth 1.1 miliardë euro.
Vlera e importeve të ushqimeve ishte 3 herë me lartë se e eksporteve me një zgjerim të lehtë ndaj vitit të kaluar. Të ardhurat doganore nga zhdoganimi i ushqimeve ishin rreth 300 milionë euro.
Ekonomia shqiptare nxori jashtë vendit për importin e ushqimeve një vlerë rreth 1,1 miliardë euro në 10- mujor, e cila do të rritet me tej deri në fund të vitit.
Reduktimi i popullsisë në zonat rurale dhe kostot e larta të prodhimeve në bujqësi e kanë rritur ekspozimin e tregut shqiptar ndaj importeve të ushqimeve. Ndërkohë që importet totale në sasi janë në rënie këtë vit importet për disa produkte ushqimore të tilla si mishi, bulmeti dhe zarzavatet u rriten ndjeshëm.
Birra, cigaret, mishi, zarzavatet dhe ushqimet e përpunuara ishin ne mesin e 20 artikujve më të importuar për nga vlera. Gjithashtu ato ishin kontribuuesit kryesor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (shiko tabelën bashkëngjitur).
Shkak për rritjen e importeve në këto grupe është bërë rënia në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë. Vetëm në vitin 2021 INSTAT raportoi se, numri i krerëve shënoi rënie vjetore me 7%, ndërsa të dhënat nga ekspertët e bujqësisë në qarqe pohuan se tkurrja është edhe me e mprehtë.
Reduktimi i numrit të bagëtive ka sjellë rënien e prodhimit të qumështit dhe bulmetit i cili në një masë është zëvendësuar në import. Për këtë fakt çmimet e bulmetit në tregun vendas janë rritur me gati 50% brenda këtij viti.
Gjithashtu importet e zarzavateve pësuan një rritje të mprehte këtë vit. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se sasia e importeve totale shënoi rënie vjetore me 9% në 10 mujor, ndërkohë që janë importuar mbi 36 mijë tonë zarzavate ose 37% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Nga 99 grupet kryesore të mallrave, zarzavatet rezultuan me rritjen më të madhe të importeve duke shënuar rekord historik, në një kohë që klima e vendit tonë siguron mbjellje me dy sezone qarqet me bujqësi intensive në vend (Berat, Lushnjë, Fier, Divjakë).
Prodhuesit në zonën e Fierit dhe Beratit e shpjeguan këtë ecuri të importeve me reduktimin e prodhimit vendas, sidomos në sera. Shumica e prodhimit në serat shqiptare ka kontrata me eksportuesit dhe e dorëzojnë mallin në magazinat e tyre.
Eksportet e zarzavateve në të njëjtën periudhe janë rritur me 7 për qind. Kjo rritje është nxitur nga investimet e mëdha të grumbulluesve në magazina frigoriferike dhe në zinxhirët e eksportit dhe rritja e kërkesës nga jashtë këtë vit. Eksportet në rritje me një prodhim në rënie kanë nxitur importet e zarzavateve të cilat këtë vit arritën kulmin, duke zëvendësuar mungesat në tregun e brendshëm të prodhimit vendas.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor