Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk mund ta lejojmë Putinin të na vjedhë Krishtlindjet”- Në gjithë Kievin do të vendosen pemë festive pavarësisht luftës


Pemët e Krishtlindjeve do të vendosen në të gjithë Kievin për të festuar sezonin festiv. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas.

 “Ne nuk mund ta lejojmë Putinin të na vjedhë Krishtlindjet.”- tha Vitali Klitschko për gazetën ukrainase RBC-Ukraine.

Megjithëse eventet masive do të ndalohen sipas ligjit ushtarak, ai shtoi se “askush nuk do të anulojë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet dhe duhet të ketë një atmosferë të Vitit të Ri”.

Siç shkruan CNN, pemët do të instalohen por pa dritat e tyre të ndezura, sipas kompanisë ukrainase të energjisë YASNO.

Kjo pasi miliona ukrainas janë në mes të një krize energjitike pas sulmeve ajrore ruse që synojnë infrastrukturën e energjisë.

Pemët e Krishtlindjeve do të vendosen në vende të ndryshme në të gjithë qytetin, duke përfshirë sheshin ikonik Shën Sofia.

Klitschko tha se pemët do të vendosen “për t’u kujtuar fëmijëve tanë humorin e Vitit të Ri. E dini, ne nuk duam t’ua heqim fëmijëve Shën Nikollën”.