Rusia ka kritikuar komentet e Papa Françeskut, i cili shprehej se disa grupe minoritare ushtarësh janë sjellë më keq se të tjerët gjatë pushtimit të Ukrainës.
Trupat “më mizore” sipas Papa Françeskut janë përgjithësisht çeçenë dhe burjatë. Ai gjithashtu e cilësoi urinë e Holodomorit të shkaktuar nga Kremlini në Ukrainë në vitet 1930, një gjenocid.
Por si kundërpërgjigje, Rusia i quajti komentet një “perversion” dhe tha se grupet kombëtare ishin “një familje”.
Çfarë tha Papa Françesku
Në një intervistë me një revistë jezuite, “America”, Papa Françesku u pyet për hezitimin e tij të dukshëm për të dënuar drejtpërdrejt Rusinë për luftën. Por ai tha se qëndrimi i tij dihej, pa qenë nevoja të përmendte emra e mbiemra.
Duke u përgjigjur, ai tha se kishte marrë “shumë informacion në lidhje me mizorinë e trupave”.
“Në përgjithësi, më mizorët janë ndoshta ata që janë nga Rusia, por nuk janë të traditës ruse, si çeçenët, burjatët e kështu me radhë.”– tha ai sipas BBC-së. Papa shtoi se “ai që pushton është shteti rus”.
Çeçenët që Papa përmendi, janë një grup etnik me origjinë nga Çeçenia, në jugperëndim të Rusisë, të cilët janë kryesisht myslimanë. Ndërsa Burjatët, një grup etnik mongol autokton në Buryatia, në Siberinë lindore, tradicionalisht ndjekin sistemet e besimit budist dhe shaman.
Rusia përmban shumë republika me grupe të ndryshme etnike dhe fetare. Megjithatë feja e shumicës është krishterimi ortodoks.
Papa tha se kishte folur për luftën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky disa herë me telefon dhe kishte komunikuar me presidentin rus Vladimir Putin, përmes ambasadorit në Selinë e Shenjtë.
Në përgjigje të dukshme ndaj akuzave për mosdënim të drejtpërdrejtë të Presidentit Putin, ai tha: “Ndonjëherë përpiqem të mos specifikoj që të mos ofendoj dhe më tepër të dënoj në përgjithësi, megjithëse dihet mirë se kë po dënoj. Nuk është e nevojshme të vendos, një emër dhe mbiemër”.
Më vonë në intervistë Papa shtoi: “Të gjithë e dinë qëndrimin tim, me Putinin apo pa Putinin, pa e përmendur emrin”.
Si reagoi Rusia?
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova dënoi komentet e Papës.
“Kjo nuk është më rusofobi, është një perversitet në një nivel që as nuk mund ta përmend.”– tha ajo.
“Ne jemi një familje me Burjatët, çeçenët dhe përfaqësues të tjerë të vendit tonë shumëkombësh dhe multikonfesionist.”– shkroi më vonë Zakharova në Telegram.