Twitter ka thënë se nuk do e zbatojë më politikën e tij të dezinformimit të koronavirusit, sipas një përditësimi në faqen e transparencës Covid-19 të platformës që kaloi kryesisht pa u vënë re që kur u postua javën e kaluar. Lëvizja erdhi pasi pronari i saj i ri Elon Musk njoftoi një ‘amnisti të përgjithshme’ për llogaritë e pezulluara më parë.
Politika e dezinformimit u zhvillua fillimisht në vitin 2020 në mes të shpërthimit të Covid-19 dhe kishte për qëllim të luftonte postimet mashtruese ‘të dëmshme’ ose teoritë konspirative në lidhje me koronavirusin, politikat e qeverisë që synojnë frenimin e përhapjes së tij dhe vaksinat përkatëse.
Përdoruesit që shkelën rregullin morën penalitete. Pas dy ose tre shkeljesgh, llogaritë e tyre u pezulluan për 12 orë. Pas katër, ato u mbyllën për një javë, ndërsa llogaritë me më shumë se pesë shkelje u ndaluan përgjithmonë nga platforma.
Sipas statistikave të publikuara nga vetë Twitter, ndërmjet janarit 2020 dhe shtatorit 2022, moderatorët e platformës sfiduan mbi 11.72 milionë llogari dhe pezulluan më shumë se 11,000 për shkelje të rregullit. Ata gjithashtu fshinë gati 100,000 pjesë të përmbajtjes në mbarë botën sipas politikës.
Politika e gjerë e moderimit u bë temë e nxehtë debati. Disa kërkuan më shumë censurë të postimeve që konsideroheshin të dëmshme, ndërsa të tjerë argumentuan se kjo përbënte shtypje të fjalës së lirë.
Që kur Musk bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë muajin e kaluar, ai ka bërë një sërë ndryshimesh dramatike në kompani, duke përfshirë shkarkimin e gati dy të tretave të stafit të saj dhe shkurtimin e ndjeshëm të ekipeve të moderimit dhe menaxhimit të faqes.
Përpara Ditës së Falënderimeve, miliarderi gjithashtu u zotua të zgjerojë një ‘amnisti të përgjithshme’ në një numër të paspecifikuar llogarish të pezulluara pas një sondazhi në Twitter, në të cilin më shumë se 72.4% nga 3.1 milionë të anketuar e mbështetën masën.
Kritikët kanë argumentuar se shërbimi i rrjeteve sociale së shpejti mund të bëhet një vatër për keqinformimin, ekstremizmin e krahut të djathtë dhe gjuhën e urrejtjes. Musk, megjithatë, ka këmbëngulur se ai dëshiron që Twitter të bëhet një fushë loje e barabartë dhe një bastion i fjalës së lirë, ku njerëzit mund të shkëmbejnë në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre për një gamë të gjerë temash.