Janë zbuluar email-et që Etleva Kondi, vartëse e bashkëpunëtore e afërt e ish-ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri ka shkëmbyer me Klodian Zoton e Klodian Mërtirin, të cilët janë në kërkim nga SPAK për hetimet mbi inceneratorët.
Komunikimet janë në periudhën kur Kondi nuk ishtë propozuar ende si përfaqësuese e Ministrisë së Energjetikës së drejtuar nga Gjiknuri në komisionin që do vendoste për dhëninen e koncesionit.
Më datë 26 gusht 2014, Etleva Kondi i dërgon email Klodian Zotos, një vendim të Bashkisë së Elbasanit, për shpalljen e emergjencës mjedisore, shkruan BW.
Në email ajo duket se iu drejtohet si Mirel Mërtirit ashtu dhe Klodian Zotos, duke iu thirrur ‘Klodër’, duke nënkuptuar Mërtirin, i cili më herët ka pasur emrin Klodian.
“Klodër, kini parasysh si vijon: së pari Bashkia Elbasan duhet të miratojë këtë në Këshillin Bashkiak (nuk jam e sigurt para apo pas shkresës që do t’ju nisë juve”. Së dyti, duhet të krijojë një komision të dhënies së koncesionit, që do t’ia bëjmë gati ne (në ligj parashikohet që mund të marrin ekspertë të fushës që kështu mund të jem edhe unë me ndonjë kolege.” – shkruan ndër të tjera Kondi.
Sikurse rezulton nga dosja, ky e-mail është dërguar 4 muaj para se Koli Bele, Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Energjetikës, ta propozonte atë si anëtare të komisionit të dhënies së koncesionit.
Një tjetër e-mail që ish vartësja e Gjiknurit ia ka dërguar Zotos është ai i datës 2 nëntor 2014. Në rrugë elektronike ajo i përcjell kontratën koncesionare për inceneratorin, që përbëhet nga 79 fletë.
“Përshëndetje Klodër! Në draftin bashkangjitur kam bërë një parashikim të përgjithshëm. Selektimet me ngjyra duhen saktësime dhe modifikime të cilat do ti diskutojmë paraprakisht.” – shkruan Kondi.
Ish-anëtarja e komisionit të dhënies së koncesionit akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, për aferën e inceneratorit të Elbasanit, për të cilin janë marrë të pandehur edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako.