Vendosni fjalën kyçe....

Bageta franceze futet në listën e UNESCO-s


Ka padyshim pak gjëra më franceze se sa bageta e famshme (baguette – frëngjisht), e cila në thelb është një bukë prej miellit të grurit, ujit, majasë, kripës dhe sigurisht pak mjeshtëri.

Në fund të fundit, thuhet se Franca prodhon rreth 16 milionë të tilla në ditë.

E konsideruar shpesh po aq simbol i Francës, sa edhe kulla Eiffel. E megjithatë, sipas BBC-së bageta ka qenë në rënie vitet e fundit, pasi furrat tradicionale luftojnë kundër rritjes së gjërave si supermarketet e mëdha dhe popullaritetit në rritje të brumit të thartë.

Por tani ka diçka për të festuar, pasi UNESCO e ka shtuar bagetën në listën e saj të “trashëgimisë kulturore jomateriale”.

Organi njoftoi se kishte shtuar “njohuritë artizanale dhe kulturën e bagetës” në listën e tij prej 600 artikujsh të tjerë, ku përfshihet dhe përgatitja tradicionale e çajit në Kinë dhe një valle koreane.

‘E lakmuar nëpër botë’

Prejardhja e saktë e bagetës nuk dihet: disa sugjerojnë se buka ishte porositur nga Napoleoni sepse do të ishte më e lehtë për ushtarët ta mbanin, ndërsa të tjerë sugjerojnë se ajo erdhi më vonë – një bukë e lehtë për punëtorët për t’u grisur dhe ndarë pa nevojën e një thike në Paris. Të tjerë ende vlerësojnë një bukëpjekës austriak në vitet 1830 për formën e tij.

Megjithatë, bageta siç e njohim ne sot u emërua zyrtarisht vetëm pak më shumë se 100 vjet më parë, konkretisht në vitin 1920. Në atë kohë u vendosën rregulla strikte për atë që klasifikohej si bagetë – të standardizuara në 80 cm dhe 250 gramë, madje kishte një çmim fiks deri në vitin 1986.

Nga mesi i shekullit të 20-të, begeta kishte fituar mbi vendin. Por që nga viti 1970, 400 furra buke artizanale janë mbyllur çdo vit, me numrin e përgjithshëm të tyre në të gjithë Francën që ka rënë nga 55 mijë në 35 mijë sot.

E megjithatë ajo mbetet kyçe për identitetin francez, me presidentin Emmanuel Macron që tha se për bagetën kishin “zili në mbarë botën”.

Për furrtarët artizanë që mbeten të përkushtuar ndaj bukës, lajmi i së mërkurës erdhi si një njohje e mirëpritur e zanatit të tyre.