Vendosni fjalën kyçe....

Doli të festonte humbjen e ekipit në Kupën e Botës, vritet nga policia i riu në Iran


Një burrë raportohet të jetë vrarë nga forcat e sigurisë në Iranin verior, teksa protestuesit antiqeveritarë po festonin publikisht eliminimin e ekipit të tyre kombëtar të futbollit nga Kupa e Botës.

Aktivistët thanë se Mehran Samak u qëllua në kokë pasi i ra borisë së makinës së tij të martën mbrëma si shenjë e “festës”.

Siç shkruan BBC, shumë iranianë refuzuan të mbështesin ekipin e tyre të futbollit në Katar, duke e parë atë si një përfaqësim të Republikës Islamike.

Mediat e lidhura me shtetin fajësuan forcat armiqësore brenda dhe jashtë Iranit për presion të padrejtë ndaj lojtarëve pas humbjes së tyre 1-0 ndaj SHBA-së në ndeshjen e fundit të grupit.

Lojtarët nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së tyre të parë, ku pësuan një humbje 6-2 nga Anglia, në një shprehje të dukshme solidariteti me protestuesit. Por më pas ata e kënduan në ndeshjen e Uellsit, të cilën e fituan 2-0, si dhe në përballjen e ngarkuar politikisht kundër SHBA-së.

Disa protestues e panë këtë si një tradhti ndaj kauzës së tyre edhe pse kishte raportime se ekipi ishte nën presion të fortë nga autoritetet iraniane.

Trazirat nisën 10 javë më parë pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22-vjeçare, Mahsa Amini, e arrestuar nga policia e moralit në Teheran pasi nuk kishte zbatuar rregullat strikte për mbulimin e flokëve me hixhab.

Autoritetet i janë përgjigjur me dhunë protestave të cilat i konsiderojnë si “trazira” të mbështetura nga të huajt. Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji thotë se të paktën 448 njerëz janë vrarë, përfshirë 60 fëmijë. Më shumë se 18 mijë të tjerë raportohet se janë arrestuar.