Vendosni fjalën kyçe....

Dorëheqjet e serbëve në veri të Kosovës, Albin Kurti: Vendet bosh do zëvendësohen pas aplikimeve të reja për punë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, duke e konsideruar si një vendim politik.

Ai përsëriti thirrjen që asnjë serb të mos braktisë institucionet, duke argumentuar se institucionet nuk janë vetëm të qeverisë, por të të gjithë qytetarëve të republikës.

“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale dhe individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre me tekstin identik te dorëheqjes, ky është vendim politik. E përsëris thirrjen që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim… Institucionet nuk janë të qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”- tha Kurti.

Kryeministri ka theksuar se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional.”– tha Kurti sipas REL.

Për shkak të dorëheqjeve të serbëve në Veri, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dekretuar datën 18 dhjetor për zgjedhjet lokale në 4 komuna në veri të vendit, ku do të zgjidhen këshilltarët komunalë dhe kryemunarët.

Më 23 nëntor, Kosova dhe Serbia kanë arritur në një marrëveshje për targat, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, plan i cili kërkon nga Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe nga Serbia që të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.