Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania “bie në hall” me ukrainasit, fluksi i madh refugjatëve po rikthen situatën e viteve 2015-2016


Në një aeroport të vjetër, në periferi të Berlinit, gati 1000 njerëz flenë në tenda gjigante me ngrohje. Kryeqyteti gjerman po përpiqet të strehojë siç duhet refugjatët ukrainas.

Dhe, ndërsa dimri thellohet dhe Rusia vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, autoritetet këtu po përgatisin me nxitim më shumë strehimore emergjente në pritje të ardhjes së të tjerë refugjatëve. Siç shkruan BBC, ata vlerësojnë se numri i të ardhurve të rinj mund të jetë deri në 10 mijë njerëz të tjerë.

Një milion ukrainas kanë ikur në Gjermani që nga fillimi i luftës, sipas shifrave të fundit.

Kjo ka zgjuar kujtimet e viteve 2015 dhe 2016 kur një numër i krahasueshëm njerëzish kërkuan azil atje.

Si atëherë, Gjermania fillimisht bëri një pritje të ngrohtë. Por tani ka shqetësime në rritje për mënyrën më të mirë për të akomoduar një numër kaq të madh njerëzish.

Në Berlin, rreth 100 ukrainas mbërrijnë çdo ditë në qendrën kryesore të qytetit të pritjes për refugjatët, e cila ndodhet në një terminal në një ish-aeroport të konvertuar.

Këtu ka ushqim, ndihmë mjekësore dhe një shtrat për disa netë. Është projektuar të jetë i përkohshëm; të huajt flenë në dhomëza ose tenda të përbashkëta.

Por shumë nga njerëzit këtu do të qëndrojnë më gjatë, pasi po bëhet më e vështirë të gjesh strehim të përhershëm në një qytet ku tregu i qirave është nën presion dhe dërgimi i njerëzve në pjesë të tjera të Gjermanisë po bëhet më i vështirë gjithashtu.

Menaxherja e peracioneve Kleo Tümmler pranon se është një sfidë: “Ne jemi krijuar për t’u kujdesur për njerëzit për disa ditë. Ndonjëherë ata duhet të qëndrojnë këtu për dy javë, ndoshta tre javë.”

Pavarësisht vështirësive logjistike, në qendër ka një atmosferë të relaksuar.

Zonja Tümmler dhe kolegët e saj duken të përkushtuara për ta bërë jetën sa më të lehtë dhe komode për njerëzit këtu.

Ata po përpiqen të përshtaten me nevojat e mysafirëve afatgjatë. Ata kanë blerë makina larëse, po përpiqen të ofrojnë pak argëtim dhe po zgjerojnë mjediset arsimore për 300 fëmijët në terren, disa prej të cilëve shkollohen online në shkollat ​​e tyre ukrainase.

Ata kanë mësuar, nga përvoja e vitit 2015. Por pozitiviteti i tyre nuk pasqyrohet diku tjetër.

Një politikan nga Gjermania veriperëndimore kohët e fundit përdori një editorial në një gazetë kombëtare për të paralajmëruar se komunitete si ai “sfidoheshin masivisht” nga refugjatët e shumtë ukrainas si dhe nga një fluks në rritje i azilkërkuesve.

Numri i njerëzve që kërkojnë azil është rritur me të vërtetë, i nxitur kryesisht nga njerëz nga Siria dhe Afganistani.

Frederik Paul tha se atij iu kujtua atmosfera gjatë krizës së emigrantëve kur një mirëseardhje fillimisht e ngrohtë i la vendin një debati të hidhur kombëtar mbi atë se sa mbështetje mund dhe duhet të ofrojnë gjermanët për ata që kërkojnë azil.

Ai u bëri jehonë komenteve të bëra më herët gjatë vitit nga Martina Schëeinsburg, një këshilltare e qarkut nga Turingia, e cila tha se zona e saj ishte mbështetur tek pronarët privatë për të strehuar ukrainasit – kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar në fillim – por tani hezitonin ta bënin këtë. Kthimi i palestrave të shkollave për strehim urgjent ishte, tha ajo, diçka që publiku gjithnjë e më shumë e konsideronte të papranueshme.

“Kapacitetet tona janë shterur.”- tha ajo. “Jemi me shpatulla pas murit”.

Gjendja po errësohet; Autoritetet regjistruan 65 sulme ndaj strehimit të refugjatëve deri më tani këtë vit, një rritje e konsiderueshme nga viti 2021.