Vendosni fjalën kyçe....

Goditet superkarteli i drogës në BE përgjegjës për një të tretën e kokainës, operacioni nga Europol, DEA e policitë e disa vendeve


Një ‘super kartel’ i përhapur kokaine është goditur në BE në një seri bastisjesh të bashkërenduara nga forcat e zbatimit të ligjit, njoftoi Europol të hënën.

Bastisjet, të quajtura ‘Operacioni Desert Light’, u kryen në Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) midis 8 dhe 19 nëntorit.

Operacioni, i cili përfshiu agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve përkatëse, Administratën e Zbatimit të Drogës së SHBA (DEA) dhe vetë Europolin, ishte kulmi i hetimeve të shumta paralele, vuri në dukje agjencia ndërkombëtare.

“Gjatë këtij hetimi janë arrestuar gjithsej 49 të dyshuar. Europol ka publikuar një video të shkurtër të operacionit, duke shfaqur foto të marra gjatë bastisjeve. Pamjet tregojnë automjete luksoze, shuma të mëdha parash, drogë, armë dhe prova të tjera të sekuestruara nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Sipas agjencisë, ‘super karteli’ kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në BE si dhe përfshihej në skema masive të pastrimit të parave. Holanda dhe Spanja përbënin shumicën e arrestimeve, ndërsa të paktën gjashtë ‘objektiva me vlerë të lartë’ u arrestuan në Dubai.

“Shkalla e importit të kokainës në Evropë nën kontrollin dhe komandën e të dyshuarve ishte masive dhe mbi 30 ton drogë u sekuestruan nga forcat e rendit gjatë hetimeve.” – deklaroi Europol.

Në shtator, Europol dhe policia spanjolle arrestuan ‘një nga pastruesit më të mëdhenj të parave në Evropë’, i cili me sa duket punonte për një kartel ndërkombëtar droge, gjatë një operacioni të përbashkët.

Një burim i AFP tha se bëhej fjalë për John Francis Morrissey, 62 vjeç, një bashkëpunëtor i Grupit të Krimit të Organizuar Kinahan. Sipas autoriteteve amerikane, ky klan kriminal me bazë në Dubai është i njohur për kontrabandën e ‘narkotikëve vdekjeprurës, përfshirë kokainën, në Evropë dhe është një kërcënim për të gjithë ekonominë e ligjshme përmes rolit të tij në pastrimin ndërkombëtar të parave’.