Ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë Gentian Deda. 51-vjeçari rezulton i dënuar në shtetin fqinj me 11 vjet, 8 muaj e 15 ditë burgim si pjesë e një grupi kriminal për trafikun e drogës.
Sipas Policisë, Deda është arrestuar në shkurt të këtij viti në Durrës.
“Ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 11 vjet, 8 muaj e 15 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.
Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Gentian Deda, 51 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas është arrestuar në shkurt të vitit 2022, në Durrës, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Durrës.
Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 11 vjet, 8 muaj e 15 ditë burgim, për kryerjen e veprës penale ‘Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike’, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.”– thotë Policia.
Deda u ekstradua drejt Italisë, për kryerjen e dënimit në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit mes dy vendeve.