Vendosni fjalën kyçe....

Ish-Shefi i Antiterrorit: Meghan Markle u përball me kërcënime shumë reale në Britani


Neil Basu ishte në krye të disa prej operacioneve më të mëdha policore të Britanisë së dekadës së fundit. E përpara se të largohej nga Policia Metropolitane pas 30 vjetësh, ai ka folur në një intervistë për “Channel 4 News” për betejat me kolegët e tij mbi racizmin, përplasjet me qeverinë, mbrojtjen e familjes mbretërore dhe të tjera.

Sa i përket familjes mbretërore, Basu tha se dukesha e Sussex-it Meghan Markle kishte marrë një mori kërcënimesh “të neveritshme dhe shumë reale”.

Ndihmëskomisioneri i Policisë Metropolitane në largim tha se ai do ta kuptonte nëse Meghan është ndjerë “nën kërcënim gjatë gjithë kohës”.

Ai tha se njerëzit janë ndjekur penalisht për kërcënimet.

Princi Harry, i cili u transferua në Kaliforni bashkë me Meghanin në vitin 2020, tha vitin e kaluar se nuk ndihej i sigurt kur vizitonte Mbretërinë e Bashkuar.

Çifti kanë folur shpesh për abuzimet që kanë marrë para se të largoheshin dhe se si kjo ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor. Që në vitin 2016, pasi çifti doli publikisht për lidhjen e tyre, Princi Harry nxori ​​një deklaratë duke sulmuar trollët e mediave sociale që synonin Meghanin.

Ish-kreu i policisë kundër terrorizmit në Angli, po fliste për Channel 4 News në intervistën e tij të fundit si ndihmës komisioner.

“Nëse do të kishit parë gjërat që ishin shkruar, llojin e retorikës që është në internet, nëse nuk e dini atë që unë di, do të ndiheshit nën kërcënim gjatë gjithë kohës.”- tha ai, citon BBC.

Kur u pyet nëse kishte pasur kërcënime të vërteta ndaj Meghan nga e djathta ekstreme, ai shtoi: “Absolutisht. Ne kishim ekipe që e hetonin këtë. Njerëzit janë ndjekur penalisht për ato kërcënime.”

Basu tha se kishte folur edhë më parë publikisht për kërcënimin e “terrorizmit të krahut të djathtë ekstrem”, duke thënë se ishte kërcënimi “me rritje më të shpejtë” me të cilin u përball.

“Kur fillova në luftën kundër terrorizmit në 2015, ishte rreth 6% e ngarkesës sonë totale. Kur u largova 15, 16 muaj më parë, ishte mbi 20% e ngarkesës sonë të punës.”

Basu, i cili është oficeri më i lartë me ngjyrë në Britani, ishte gjithashtu përgjegjës për mbrojtjen mbretërore.