Vendosni fjalën kyçe....

Koncert bamirësie për Ukrainën, 300 artistë nga vendet e NATO-s vijnë më 3 dhjetor në Tiranë


Më 3 dhjetor në Tiranë do të mbahet një koncert bamirësie për Ukrainën. Ky koncert bën bashkë në kryeqytetin shqiptar orkestrat frymore të ushtrisë shqiptare, të Kosovës dhe vendeve të tjera të NATO, në veçanti të SHBA-ve.

Aktiviteti i iniciuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të zhvillohet në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë, që përkon njëherësh edhe me 110-vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare.

“Në këtë koncert do të përformojnë mbi 300 artistë nga Orkestra Sifonike e FA, Kori i FA, Banda e Ushtrisë shqiptare dhe Bandat e ushtrive të Kosovës dhe vendeve të NATO nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.  Kjo është hera e parë që një event i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri.  Të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.”- bën me dije Ministria e Mbrojtjes në një njoftim.

Motoja e këtij koncerti do të jetë: “Së bashku për paqen, së bashku për të sjellë buzëqeshje dhe sado pak gëzim për fëmijët e Ukrainës, të cilët sot kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje”.

Të ardhurat nga shitja e biletave të këtij koncerti do të shkojnë në ambasadën e Ukrainës, me qëllim që të mbërrijnë te familjet dhe fëmijët e prekur nga lufta.

Ministria e Mbrojtjes njofton se të gjithë ata që duan të marrin pjesë mund t’i rezervojnë biletat në faqen e internetit www.vivere.al ose duke telefonuar në nr. e telefonit 0696673220.