Vendosni fjalën kyçe....

“Në Shënjestër” publikon përgjimet nga hetimet për 430 kg kokainë të kapur në thasët e plehut kimik


Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala ka publikuar detaje ekskluzive nga aksioni për sekuestrimin e 430 kg kokainë kolumbiane që u gjetën në shtëpinë e zyrtarit socialist Viktor Çervanaku, në Frakull të Fierit.

Për herë të parë dalin përgjimet mes të dyshuarve, që zbërthejnë mënyrën sesi funksiononte grupi kriminal. Viktor Çervanaku, aktualisht drejtor i administratës së OST, ish-kryetar komune i komunës Frakull i Madh, si dhe ish-oficer i forcave speciale RENEA, sikurse rezulton nga përgjimet mbante kontakte me punonjës të policisë dhe strukturave të tjera shtetërore.

Në dukje ai hiqej si një zyrtar i sjellshëm, bashkëpunues. Korrekt me banorët, aq sa kishte fituar edhe simpatinë e tyre. Kështu të paktën e kujtonin në komunën Frakull në Fier, ish-komunarin e tyre.

Profil të cilin Viktor Çervanaku, duket se e kishte krijuar me aq kujdes për veten e tij në sytë e opinionit publik, deri mbrëmjen kur ra në pranga për përfshirje në trafikimin e 430 kg kokainë të fshehura në thasë me pleh organik.

Kokainë e cila kishte nisur rrugëtimin nga Kolumbia dhe ishte stacionuar në banesën e tij në fshatin Frakull e Madhe në Fier. Banesa që shpejt do të shndërrohej, në një laborator të përpunimit të kokainës, pasi aty do të ‘zbarkonin’ ‘kimistët’ kolumbianë, për të kryer ekstraktimin e saj.

Profili i një zyrtari babaxhan, që ndërsa bashkëfshatarët kishin disa kohë që e kishin humbur nga sytë, por që ruanin mbresa të mira për të, duket se një përshtypje të tillë nuk e kishin agjentët e DEA-s amerikane.

Të cilët, duket se kishin muaj të tërë që e kishin  vënë në lupën e tyre, Viktor Çervanakun dhe rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve.

Deri me 24 nëntor 2022.

Kur gjithë ëndrra e tij për tu pasuruar nëpërmjet trafikimit të kokainës u zhbënë në hiç, ashtu si gjetja e tyre e padëgjuar më parë për të organizuar transportin e lëndës narkoktike, përmes plehut.

Një gjetje që duket se nuk e kaloi dot provën, pasi DEA amerikane i ishte vënë nga pas ngarkesës për ta mësuar se ku do të përfundonin gjurmët e saj.

Por si ra në pranga Viktor Çervanaku dhe rrjeti i tij i bashkëpunëtorëve?

Cili ishte rrugëtimi i gjatë që kishte ndërmarrë sasia prej 430 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri?

Dhe, a është në të vërtetë ai, bossi i kësaj ngarkese, apo edhe në këtë rast ata që u arrestuan nuk janë gjë tjetër veçse ushtarët e sasisë së madhe të drogës, që nëse do dilte në treg mendohej se do të kapte vlerën e 40 milionë eurove?

Sipas burimeve të emisionit ‘Në shënjestër’, plani për të transportuar kokainën nëpërmjet thasëve me pleh, nisi të thurej në janar 2022, kur vëllai i Viktor Çervanakut, Zenel Çervanaku, regjistroi një biznes në emër të tij, me aktivitet kryesor import-eksportin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të plehrave kimike si edhe mallrave të ndryshme, duke përfshirë këtu, fruta të thata, ekzotike, deri te pemë dekorative.

Kjo me qëllim kamuflimin e dërgesës me kokainë, që pesë muaj më pas do të nisej nga Amerika e Jugut në drejtim të Shqipërisë.

Ku thuhet se Zenel Çervanaku, i njohur si NELI porositi ngarkesën, e cila u nis nga Kolumbia në muajin maj.

Më konkretisht nga porti i Buenaventuras.

Rrugëtim që u ndal fillimisht në portin e Pireut në Greqi, ku qëndroi vetëm 3 ditë.  Për të marrë më pas drejtimin për në portin e Barit apo ndryshe të Tivarit në Malin e Zi.

Ndalesa e fundit, para se ngarkesa të mbërrinte në Shqipëri.

Por ndërsa dukej se gjithçka po shkonte në përsosmëri me ngarkesën që tashmë ishte ndalur në Portin e Tivarit, nuk duket se ishte kështu për kryedoganierin e portit malazez të mallrave.

I cili, duket se nuk u bind nga pesha e mallit. Ndaj për këtë arsye kërkoi një verifikim të dytë të thasëve me pleh organik.

Ku kërkimi këtë herë rezultoi surprizues. Histori e cila së fundmi u nxor në pah edhe nga mediat malazeze, që zbardhën të gjithë dinamikën, se si u gjet kokaina e fshehur në 536 thasë të ngarkuar me pleh kimik organik.

Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, ne Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, kanë shkëmbyer informacione lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” e cila është paketuar në një kontejner me numër CAIU4087660, që transportohej me anijen “Monte Cervino”, në Portin e Tivarit. Sipas të dhënave paraprake te administruara për interesa të këtij procedimi penal rezultonte se, kompania e dërgesave ‘Comercializadora Tober Exportaciones Palmira”, Vale, Columbia, ka organizuar transportin e kontejnerit nga Porti Buenaventura-Kolumbi, përmes Portit të Pireut/Greqi, me destinacion tranzit Malin e Zi, për marrësin shtetasin shqiptar Zenel Çervanaku.

Dyshimi mbi përmbajtjen e thasëve me pleh organik, lindi te autoritetet malazeze, pasi një ngarkesë e ngjashme ishte kapur më herët në Kolumbi, më 21 prill 2022, ku nga analizat kimike që iu bënë në atë kohë plehut organik, u zbulua një sasi prej 171 kg kokainë.

Ishte ky dyshim që drejtoi autoritetet malazeze të kërkonin informacione lidhur mbi porositësin e ngarkesës.

Që në këtë rast rezultonte të ishte Zenel Çervanaku, apo i njohur ndryshe si Neli. Por ndërkohë që anija me ngarkesën me kokainë kishte mbërritur në portin malazez, më 7 Korrik 2022, autoritetet malazeze, morën informacion njëkohësisht se malli do të dërgohej me kamionë në Shqipëri.

Sipas autoriteteve vendase ngarkesa përmbante 20 paleta me gjithsej 600 thasë me ‘pleh artificial’.

Është ky momenti kur malazezët, propozojnë të bëhej dorëzimi i kontrolluar i mallit, për të parë se kush do të ishte marrësi i vërtetë i kësaj dërgese.

Si dhe kush ishin personat e specializuar për të bërë ekstraktimin e kokainës. Ndërkohë që tashmë autoritetet ligjzbatuese në bashkëpunim me DEA-n amerikane, nuk kishin dyshime se ndodheshin përballë një grupi të strukturuar kriminal i shtrirë në disa shtete, ku të përfshirë rezultojnë edhe emra që njihen si ‘peshqit’ e mëdhenj të kokainës.

I pari që u vu në përgjim, në fundin e muajit korrik, ndërsa ngarkesa ishte ende në Portin e Tivarit në Malin e Zi, ishte Zenel Çervanaku.

Ngarkesa me plehun artificial qëndroi në portin e Tivarit deri më datën 19 shtator 2022. Pra afro 2 muaj që nga mbërritja në këtë port më datë 7 korrik 2022. Ku autoritetet portuale u kujdesën që gjatë kësaj kohe të mos binin në sy të porositësve të ngarkesës.

Por t’i lejonin ata që gjatë kësaj periudhe të përgatisnin dokumentacionin e duhur, me qëllim transportin e ngarkesës në Shqipëri. Transport që siç do të shikohet më poshtë, u krye më 19 shtator 2022. Ku në orën 20.00 të kësaj dite, kamioni i ngarkuar me pleh organik, u  parkua fillimisht në Terminalin e Doganës së Tiranës. Aty ku kaloi edhe natën. Deri në pritje të zhdoganimit.

Zhdoganim i cili u krye më datë 20 shtator 2022, ku pasi në mesditë ka lënë Doganën, kamioni mësohet se është ndalur në një parkim të hapur në rrugën ‘Jorgo Panajoti’, në Tiranë. Ambient ku thuhet se ngarkesa ka qëndruar prej datës 20 Shtator 2022, ora 14.00 deri më datë 23 Shtator 2022, ora 14.00.

Momenti, kur ngarkesa me pleh organik, këtë herë lë Tiranën dhe niset e ndarë me dy kamionë të tonazhit më të lehtë, drejt fshatit Frakull e Madhe në Fier.

Ku mësohet se mbërriti po në këtë datë, në banesën e shtetasit Refat Çervanaku, babai i Viktor dhe Zenel Çervanakut. Ambient në të cilin sasia e drogës u gjet edhe mbrëmjen e 24 nëntorit 2022.

Por çfarë rezultoi nga përgjimet dhe si u ‘zbërthye’ grupi kriminal i trafikut të kokainës?

Cilat ishin shqetësimet e tyre gjatë kohës që ngarkesa kaloi kufirin në Shqipëri dhe përplasjet që kishin me njëri-tjetrin?

A janë ata të vetmit në këtë trafik, dhe cila ishte lidhja me efektivë të korruptuar të policisë por edhe të doganave?

Për të kuptuar se si Viktor Çervanaku dhe rrjeti i tij, mori kurajon të transportonte dhe pastronte kokainën duke krijuar një laborator kokaine në Shqipëri, është me interes të ndjekim disa nga momentet kyçe të komunikimeve mes të dyshuarve si anëtarë të grupit?

Ajo çfarë vihet re përgjatë gjithë bisedave midis tyre, është shqetësimi i dukshëm për ngarkesën. Ku personi kryesor në këtë trafik dhe në këto biseda rezulton të jetë Viktor Çervanaku. Dikur një ish-efektiv i RENEA-s.

Që në vitet 1998-1999, kishte shërbyer si shofer i drejtorit të Policisë së Vlorës.

Por që gjatë kësaj kohe thuhet se ishte marrë edhe me trafikun e klandestinëve dhe të lëndëve narkotike.

Ves të cilin mesa duket e ushtronte edhe në ditët e sotme pavarësisht se mbante poste zyrtare. Ku së fundmi thuhet se ishte drejtor i Burimeve Njerëzore në OST.

Çervanaku, që si ish-efektiv policie, duket se kishte ruajtur më së miri lidhjet e tij në polici.

Lidhje të cilat dalin edhe në përgjime, teksa ai flet vazhdimisht me efektivë në detyrë të policisë së Shtetit por edhe agjentë të doganës. Të cilët do t’i mundësonin atij kalimin pa probleme të mallit, në këtë rast kokainës të fshehur në pleh.

Një prej përgjimeve është edhe ai midis Viktor Çervanakut dhe një efektivi policie në kohën kur malli ndodhej ende në portin malazez të Tivarit. Ku Çervanaku, kujdeset që efektivi i policisë, të mbyllte problemet që Nikolin Gjolena kishte me ligjin.

Gjolena, i njohur ndryshe me nofkën ‘Lushnjari’ apo ‘Lushi’ që siç do të shikoni më poshtë, rezulton të jetë porositësi kryesor i mallit dhe njeriu që mbante lidhjet me kolumbianët dhe bosët shqiptarë të drogës që ndodheshin atje.

Në përgjimin e datës 10 Gusht 2022, Viktor Çervanaku i dërgon mesazhe një efektivi policie ku ndër të tjera e pyet: O shok a fole më atë, që t’ja bëjmë nderin deri në fund?

Duke nënkuptuar nderin që do t’i bënte Gjolenës.

Po atë mbrëmje, Viktori i shkruan sërish në darkë punonjësit të policisë dhe ai i përgjigjet: Do flas nesër, çfarë ka bërë.

Por ndërsa Viktor Çervanaku kujdesohet që personi i rëndësishëm për ngarkesën, Gjolena, të mos ketë probleme me policinë me të ardhur në Shqipëri, paralelisht ai merr masat që ngarkesa të dalë pleh organik.

Për këtë arsye ai kapet në përgjim teksa flet me një agjent doganor. Me qëllim që analizat të dalin ashtu siç duhet dhe të plotësohet njëkohësisht dokumentacioni përkatës

Përgjime 22 Shtator 2022

Viktor Çervanaku komunikon me një agjent doganor

V.Ç-Kam marrë një maune me pleh, a do ta bëjmë atë analizën e plehut.

Agjenti Doganor: Kujt plehu?

V.Ç: Po ka prurë çuni një maune me pleh nga jashtë.

Agjenti Doganor: Ou? Po për ça e përdor çuni?

V.Ç : E, do i bëjmë analizën

Agjenti Doganor: Aaa ta shesi!!

V.Ç: Për ullinj, ta shesi, është pleh i mirë, është kështu fertilizant, pleh shumë i mirë,

Agjenti Doganor: Ca thua ore? I madh je! Hahaha.

V.Ç: Ee, po ça të bëjme ore. Hajt tua hedhim atyre ullinjve, ta shesi pjesë-pjesë, ka prurë shumë ai, ka prurë 22 ton, ee.

Agjenti Doganor: Ou paska prurë shumë….

Por ndërkohë që kujdesej që malli të dilte pleh organik, Viktor Çervanaku, nuk harronte t’i kujtonte djalit të tij, Denilsonit, që të bënte kujdes kur fliste në telefon.

Madje, në një nga bisedat, ai shpreh frikën e një përgjimi të mundshëm.
Bisedë e përgjuar më 15 Tetor 2022, mes Viktor Çervanakut dhe djali të tij Denilsonit. Të cilët rezultojnë se janë në pritje të një personi i cili sipas hetuesve do të bënte ekstraktimin e kokainës.

Por një rol kryesor në këtë trafik të lëndëve narkotike, siç del nga përgjimet, duket se ka edhe e fejuara e Denilson Çervanakut, djalit të Viktor Çervenakut.

Enxhi Ferhati, e cila rezulton se mbante kontakte nëpërmjet emaileve me organizatorët e ngarkesës. Komunikime të cilat ajo i kryente në gjuhën angleze.

Dhe që nisin që në momentin kur malli ndodhej në muajin korrik në portin e Tivarit. E cila në momentin që ngarkesa ndodhej në këtë port, u shpreh shqetësimin dërguesve të mallit nga Kolumbia, lidhur mbi problemet që u kanë dalë me dokumentacionin e shoqërimit të ngarkesës.
Ku sipas saj këto dokumente duhet të përsëriteshin nga e para, pasi nuk ishin të rregullta.

Pasi dokumentacioni shoqërues i ‘ngarkesës’ nuk ishte ashtu siç duhej, pasi ekzistonin dy prodhues të ndryshëm të origjinës së ‘plehut organik’. Përgjim, ku del në dukje edhe organizatori i ngarkesës, Nikolin Gjolena. Apo i njohur ndryshe si Niko ‘Lushnjari’.
Personi, që sipas hetuesve mban kontakte me personat e tjerë në Kolumbi. Që me shumë gjasë mund të jenë shqiptarë.

Përgjime 16 Gusht 2022

Denilson Çervanaku komunikon me të fejuarën e tij, Enxhi Ferhati.

D.Ç: Po iki te lagjja të ha një hamburger, të pi një kafe. Do vij në shtëpi se duhet me i bo edhe një herë nga fillimi të gjitha letrat.
E.F: Si me i bo?
D. Ç: Me i bo dhe një herë të gjitha, se nuk janë siç duhet.
E. F: Kush me i bo?
D. Ç: Ata andej, të na i nisin tamam.
E. F: A ti dha ai ashtu.
D. Ç: Po, pra, po si kanë plotësu dhe ata tamam siç duhet, se kanë vënë ata motër ….. gabime, kanë futur dy prodhuesa. S’dimë kush është prodhuesi tani. Po ja u … robt dhe atyre. U sa më kanë acaru.
E. F: Ok, se flasim kur të vish.
D. Ç: I thashë ‘Lushnjarit’, or vlla më ço një numër telefoni. Ti marr në telefon ata anej, të flas or vlla, se s’po merremi vesh. Ti them si ta bëj.
E.F: Po s’flet dot, se ato s’dinë anglisht mirë.
D. Ç: Ore mos është noi shqiptar, që është shoku i tyre që rri atje.

Pasi rregulluan dokumentacionin dhe malli më në fund mbërriti në Shqipëri, në një komunikim tjetër, Denilsoni dhe e fejuara e tij, Enxhi, tashmë shfaqen shumë të lumtur. Pasi më në fund në orën 10.00 në aeroport do të mbërrinte ‘Lushi’, Nikolin Gjolena.

Dhe me ardhjen e tij do fillonte puna për ekstraktimin e lëndës narkotike. Pavarësisht se deri në këtë moment, nuk kishin ardhur kimistët kolumbianë, që do të kryenin procesin.

Po ndërkohë që Denilsoni dhe e fejuara e tij shprehnin gëzimin se më në fund gjithçka po u ecte mbarë, në krahun tjetër babai i tij Viktor Çervanaku, i cili rezulton siç thamë të jetë pritësi i ngarkesës, kapet në bisedë me vëllain e tij, Zenelin.

Ku në komunikimin e përgjuar me të, më datë 27 shtator 2022, Viktori i kujton këtij të fundit se duhet të ketë shumë kujdes për ngarkesën që të mos dëmtohet pas shiut të madh që kishte rënë në këtë datë në Frakull të Madhe, aty ku tashmë malli ndodhej që nga 23 shtatori.

Madje duke i kujtuar që ta ruajë mallin si ‘sytë e ballit’.

Përgjim 27 Shtator 2022

Viktor Çervanaku komunikon me vëllain e tij, Zenel Çervanaku

Z. Ç: Shi tha ai bie, ka vajtur e ka kontrolluar, janë në rregull, kishin zënë një çik aty lartë ku e kishim mbuluar ne me plasmas pellgje uji, i ka pastruar, i ka mbuluar edhe cepat.

V. Ç: Epo mirë shumë. Kontrolloje dhe shihe si sytë e ballit ore!!