Qeveria mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri në Porto Romano, ku do të zhvendoset aktiviteti i atij aktual në Durrës, ka zgjedhur modelin C2.
Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.
Një studim i lidhur me projektin dhe ndikimet mjedisore të zbatimit të tij hartuar nga Royal HaskoningDHV, Abkons e një sërë kompanish të tjera nënvizon se Porti i integruar i Durrësit – Porto Romano do të zbatojë këtë model pasi kostot janë më të ulëta sesa rasti i zhvillimit në det të hapur.
Por sesa janë këto kosto, studimi nuk ka të dhëna duke qenë se merret thjesht me efektet mjedisore. Sipërfaqja totale e portit të ri llogaritet në 300 hektarë.
Ku parashikohet të ndërtohet Porti
“Sipërfaqja aktuale ku parashikohet të zhvillohet projekti i Portit të Durrësit në Porto Romano, konsiston kryesisht në toka bujqësore të përfituara nga bonifikimi i ish-kënetës së Durrësit. Kullimi i ujërave sipërfaqësore garantohet nga një sistem kanalesh kulluese të hapura, të cilët konvergojnë në pikën me kuotën më të ulët të zonës, aty ku aktualisht ndodhet stacioni i pompimit të Hidrovorit. Në pjesën perëndimore të bregdetit, zhvillohen aktivitete sezonale që lidhen me turizmin si plazhe private, bare dhe restorante. Në pjesën veriore janë instaluar depozitat e shoqërisë së hidrokarbureve Royal Trade sh.a, ndërsa në jug zona kufizohet nga dy hapësirat koncesionare të porteve private, Romano Port sh.a dhe MBM sh.a. Në kufijtë e zonës së zhvillimit, nga ana lindore, ndodhet fshati Rinia. Në një distancë prej rreth 2-3km më në jug ndodhet zona e parashikuar për realizimin e parkut fotovoltaik të Spitallës. Pranë portit të ri, në verilindje dhe jugperëndim të fshatit Rinia, janë parashikuar ndërtime rezidenciale. Gjithashtu pranë portit ndodhet dhe Parku Olimpik/Parku Ekologjik”, thuhet në dokument.
Pse zhvillimi i portit do të bëhet në breg
Përmbledhja e raportit jo-teknik nënvizon se një model C2 i planimetrisë është zgjedhur për disa arsye:
Një port i brendshëm është opsioni më pak i kushtueshëm i zhvillimit;
Kostoja e ndërtimit të dallgëthyeseve në ujërat e thella në det është e konsiderueshme (për një dallgëthyese me burime nga rrënojat, kostoja rritet afërsisht me dyfishin e thellësisë së ujit);
Kostoja e bonifikimit në det për të formuar tokën për zhvillimin e portit është gjithashtu e konsiderueshme;
Megjithëse vëllimi i dragazhit të kërkuar për të siguruar akses lundrues do të jetë më i madh për zhvillimin e portit në brendësi, një pjesë e këtij dragazhi do të jetë me rërë, e cila mund të përdoret në mënyrë të dobishme për të mbushur zonat tokësore të ulëta për zhvillimin e portit;
Aktualisht parashikohet që materiali i gërmuar nga basenet e brendshme do të jetë rërë e imët baltore, e cila mund të përdoret për të formuar platformën e re portuale me mbushje hidraulike të zonave të ulëta të tokës. Kjo do të ulë koston bonifikimit me mbushje dhe nevojën për asgjësimin e materialit të gërmuar në zonat e derdhjes në det
Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore
Përmbledhja e bërë nga kompanitë për llogari të Autoritetit Portual Durrës ndalet tek lidhja infrastrukturore që do të ketë porti i ri duke analizuar qoftë atë rrugore edhe atë hekurudhore.
“Autostrada SH49(Fllakë) ndodhet rreth 4.4 km në lindje të zonës së projektit dhe lidhet drejtpërdrejt me autostradën SH2 Durrës-Tiranë dhe prej andej me autostradën SH4 (Lushnjë-Fier) nëpërmjet SH2.
“Autostrada SH4 139 km e gjatë është një korridor i rëndësishëm transporti veri-jug në Shqipëri që lidh Durrësin me Greqinë dhe është një pjesë thelbësore e autostradës së Adriatik-Jonit dhe e Korridorit VIII Pan-Evropian. Ajo përbëhet nga dy korsi trafiku me një korsi emergjence në çdo kah drejtimi. Gjithashtu në prill 2020, qeveria shqiptare shpalli tenderin për ndërtimin e 2.1 km rrugë që lidhin qytetin e Durrësit me terminalin e naftës në Porto Romano. Ndërtimi i rrugës së kategorisë B me dy karrexhata lidh rrugën kryesore ndërurbane SH85 nga K/Rr. nr.2 (Shkozet) me Porto Romanon. Gjithashtu në shtator 2020 ka filluar ndërtimi i një rruge që lidh Porto Romanon me rrugën urbane dytësore SH51”, thuhet në studim.
I njëjti nënvizon se sa i takon rrjetit hekurudhor në programet e MIE është planifikuar lidhja e zonës së Porto Romano me rrjetin hekurudhor kombëtar me një linjë hekurudhore të gjatë 8 km, por kjo është ende në fazën paraprake të përgatitjes së projektit.
Planet e ndërtimit dhe zgjerimit të portit deri në 2030
Referuar dokumentit infrastruktura portuale konsiderohet të jetë e kushtueshme dhe financimi dhe ndërtimi do të ndahen në faza. Faza e parë e ndërtimit të Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano parashikon ndërtimin e objekteve të mëposhtme:
Terminali i kontejnerëve duke përfshirë lidhjen me infrasatrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe zgjidhjen e furnizimit me ujë. Është planifikuar që një koncesion 35-vjeçar që mbulon prokurimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e terminalit të kontejnerëve t’i jepet një operatori ndërkombëtar për terminalet.
Ndërtimi i një objekti detar, fushëveprimi i të cilit është ende për t’u përcaktuar
Krijimi dhe ndërtimi i Infrastrukturës dhe objekteve të përbashkëta portuale duke përfshirë
Vendbregëzimet e shërbimeve detare dhe Ndërtesat e përbashkëta portuale si Ndërtesa e administratës portuale, Ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile (stacioni zjarrfikës, qendra e emergjencës), zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj
Sa i përket afateve kohore supozimet janë si më poshtë:
Deri në fillim të vitit 2026 do të përfundojnë dhe do të vihen në punë Vendbregëzimet e përgjithshme të ngarkesave. (Pjesë e këtij studimi)
Terminali i kontejnerëve do të përfundojë dhe do të vihet në funksion deri në fillim të vitit 2026.
Lidhja hekurudhore me portin e ri do të përfundojnë deri në fillim të vitit 2030.
Deri në vitin 2060 mund të jenë të nevojshëm tre Vendbregëzime, pasi mund të konstatohet që dy Vendbregëzime nuk do të jenë të mjaftueshme për të përballuar fluksin e parashikuar deri në vitin 2055.
Zhvendosja e Portit të Durrësit
Teksa në zonën aktuale të Portit të Durrësit pritet të zhvillohet projekti i Marinës së Jahteve, që do e kthejë atë në një zonë rezidenciale dhe port jahtesh, Porti i Durrësit do të zhvandoset gradualisht në Porto Romano.
Zhvendosja e portit të Durrësit në Porto Romano do të jetë graduale, pasi edhe zhvillimi i projektit në portin ekzistues do të jetë i tillë.
Ekspertët kanë pohuar se zhvendosja e Portit të Durrësit në çdo skenar do të ishte e nevojshme, pasi porti aktual ka nevojë për përmirësime rrënjësore që lidhen me rritjen e volumeve të përpunimit, por edhe me sigurinë portuale, nevojën për më shumë autonomi dhe hapësirë për forcat detare dhe nevojën për ndërlidhje më të mirë me logjistikën rrugore dhe hekurudhore./ N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor