Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi të martën se zbuloi skemën më të madhe të mashtrimit ndërkufitar të TVSH-së të hetuar ndonjëherë në BE me vlerë rreth 2.2 miliardë euro.
Hetimi filloi në prill 2021 në Portugali, ku autoritetet po hetonin një kompani që shiste telefona celularë, tableta, kufje dhe pajisje të tjera elektronike, me dyshimin për mashtrim me anë të TVSH-së.
Siç u kërkua prej tyre, autoritetet portugeze raportuan rastin në EPPO pas nisjes së hetimeve në qershor 2021, pavarësisht se hetimi fillestar gjeti që gjithçka ishte në rregull.
Megjithatë gërmimet shtesë nga prokurorët evropianë, analistët e mashtrimit financiar, Europoli dhe autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit shpejt vendosën lidhje midis kompanive portugeze dhe rreth 9,000 subjekteve të tjera juridike dhe më shumë se 600 personave fizikë.
Këto ishin të vendosura në shumicën e vendeve të BE-së, si dhe në Shqipëri, Kinë, Mauritius, Serbi, Singapor, Zvicër, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Hetimet u zhvilluan në gjashtë vende anëtare të BE-së në mes të tetorit me 200 hetime të tjera të ekzekutuara në 14 vende të tjera të BE-së të martën.
“Të gjitha të dhënat e mbledhura janë duke u analizuar dhe hetimi për grupet e krimit të organizuar që qëndrojnë pas kësaj skeme po vazhdon.” – tha EPPO në një deklaratë.
“Dëmet e vlerësuara të hetuara nën ‘Operacionin Admiral’ aktualisht arrijnë në 2.2 miliardë euro. Janë marrë masa për rikuperimin e dëmeve.” – shtoi deklarata.
Sipas agjencisë së BE-së, çështja meriton vëmendje jo vetëm për shkallën e saj të madhe, por edhe për shkak të ‘kompleksitetit të jashtëzakonshëm të zinxhirit të kompanive’ të përfshira në skemën e mashtrimit.
“Këto veprimtari nuk do ishin të mundura pa përfshirjen e disa grupeve të krimit të organizuar shumë të aftë, secili prej të cilëve ka role specifike në skemën e përgjithshme. Duke punuar në nivel ndërkombëtar, pothuajse me një logjikë industriale, ata kanë vite që shmangin kapjen.” – tha prokuroria.
Një mashtrim i tillë është krimi më fitimprurës në bllok dhe vlerësohet t’u kushtojë shteteve të BE-së 50 miliardë euro në vit humbje tatimore.
“Operacioni Admiral është një tregues i qartë i përparësive të një prokurorie transkombëtare.” – tha Kryeprokurorja evropiane Laura Kövesi.
“Kur bëhet fjalë për mashtrimin e TVSH-së, nga këndvështrimi kombëtar, dëmet mund të vlerësohen si relativisht të vogla ose inekzistente, ose edhe të mbeten të pazbuluara. Duhet një pamje nga larta, për të parë të gjithë pamjen.” – shtoi ajo.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Euronews