Policia gjermane ka arrestuar dy shqiptarë, të cilët akuzohen se kanë vrarë 42-vjeçarin shqiptar, Mario Muka në qytetin e Krefeldit.
Personat e arrestuar janë personazhe të njohur në botën e drogës.
Të dy të rinjtë, një 20-vjeçar dhe një 26-vjeçar janë vendosur në qeli me urdhër gjykate si të dyshuar për vrasje.
Gazeta gjermane shkruan se shqiptarët në fakt u arrestuan gjatë një operacioni rutinë. Por të dhënat e grumbulluara kundër tyre, justifikojnë arrestimin për vrasjen e Mukës. Arma e krimit nuk është gjetur akoma dhe hetimet po vazhdojnë.
Policia tha se shqiptari u vra me një plumb në kokë.
Mario Muka rezulton të jetë pronar i një karburanti në ‘Katër Rrugët’ e Shijakut.
Mësohet se Muka, nga Shijaku, kishte emigruar drejt Gjermanisë në vitin 2018.
Ai ishte një personazh i njohur për policinë, për krime të drogës dhe për vjedhje.