Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka prezantuar numrin total të humbjeve që vlerësohet se ka pësuar Ukraina në konfliktin e saj me Rusinë.
“Më shumë se 100,000 oficerë e ushtarë ukrainas janë vrarë deri tani.” – tha von der Leyen të mërkurën, ndërsa shtoi se rreth 20,000 jetë civilësh janë humbur gjithashtu mes luftimeve, të cilat kanë vazhduar që nga fundi i shkurtit.
Kryetarja e Komisionit Evropian nuk zbuloi burimet e informacionit që ajo dha.
Në fund të shtatorit, ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu deklaroi se humbjet ukrainase deri më tani kishin arritur në më shumë se 61,000 trupa, që ishte dhjetë herë më e lartë se ato të Rusisë.
Në fjalimin e saj, von der Leyen propozoi gjithashtu ngritjen e një gjykate të specializuar, të mbështetur nga OKB, për të hetuar dhe ndjekur penalisht atë që ajo e përshkroi si ‘krime lufte të Rusisë’.
Ajo tha gjithashtu se një strukturë e veçantë do krijohej nga BE-ja për të menaxhuar dhe investuar 300 miliardë euro (rreth 311 miliardë dollarë) në rezervat e Bankës Qendrore Ruse dhe 19 miliardë euro asete të biznesmenëve rusë, të cilat BE-ja i ngriu pas shpërthimit të konflikti.
Plani është të përdoren të ardhurat nga këto aktivitete për të rindërtuar dhe ndihmuar Ukrainën, sipas presidentes të Komisionit Evropian.