Vendosni fjalën kyçe....

Aksioni i IKMT-së për sot ka përfunduar, pamjet nga brenda perimetrit të sigurisë në “Prestige Resort” (VIDEO)


 

Për sot ka përfunduar aksioni i IKMT-së për shembjen e “Prestige Resort”, ndërsa pritet të rifillojë mëngjesin e nesërm.

Këto janë pamjet e publikuara nga brebda resortit nga “Balkanweb”, një nga mediet në pronësi në “Fokus Media Group” që zotëron edhe resortin.

Pamjet janë brenda perimetrit të sigurisë të vendosur, pas largimit të punonjësve të IKMT-së. Godina që më parë rrethohej nga palmat, tani rrethohet nga inertet.

Në pamje shihet gjithashtu se forcat xheniere kanë bërë gati shpimet për vendosjen e eksplozivit, me të cilat pritet të kryhet edhe shpërthimi i komanduar i ndërtesës.

 

Përfaqësuesit ligjorë të Prestige Resort thonë se punonjësit e IKMT-së nuk kanë paraqitur asnjë dokument pas mbërritjes në orët e para të mëngjesit duke e cilësuar aksionin si krejt të paligjshëm.

Pak muaj më parë, gjatë stinës së verës, IKMT-ja prishi një pishinë të Prestige Resort duke deklaruar se ishte pa leje, ndërkohë që e kundërta u pretendua nga përfaqësuesit e Prestige Resort.

Resorti në fjalë është pronë e biznesmenit Irfan Hysenbelliu ndërsa pjesë e grupit janë edhe mediat News24, Panorama e Balkanweb. Sipas mediave në fjalë, sulmi ndaj Prestige Resort vjen për shkak të politikës editorial kritike ndaj qeverisë.

Lidhur me këtë aksion ka pasur një sërë reagimesh nga politika. Kreu i PD-së Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë Ilir Meta, e kanë konsideruar këtë aksion një “hakmarrje primitive ndaj lirisë së mediave” të kryeministrit Edi Rama. Por ky i fundit thotë se forcat e IKMT-së vetëm sa kanë zbatuar ligjin.

 “Është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhen me ligjin, të njihemi me të dhe me procedurat. T’i mësojmë mirë ato për të mos bërë spekulime dhe për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërtetash. Lexoni ligjin është i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve për qëllim fitimi janë të qarta. Të përshkallëzuar me ligj. Ka shembje, konfiskim në varësi nga niveli i shkeljes dhe kështu me radhë… Pra lexoni ligjin me shumë vëmendje. Mos nxirrini konkluzione të bazuara në premisa të gabuara.”-tha Rama.