Berisha për aksionin në “Prestige Resort”: Hakmarrje primitive e Ramës ndaj pronave të Hysenbelliut, do mbajë përgjegjësi ligjore


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me aksionin në zhvillim për shembjen e “Prestige Resort” që është në pronësi të “Fokus Media Group”. 

Në një prononcim për mediet, ai e dënoi këtë aksion duke e konsideruar këtë si një “hakmarrje politike” të kryeministrit Edi Rama kundër një medieje të lirë.

“Unë gjithashtu dua të denoncoj me forcën më të madh, aktin kriminal, hakmarrjen primitive, të turpshme, antiligjore, antikushtetuese të Edi Ramës ndaj pronave të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, që është njëkohësisht pronar mediesh.

Ju garantoj që kjo që shihni aty, nuk ka asnjë lidhje tjetër, përveç hakmarrjen e egër dhe primitive të Edi Ramës, për qëndrimin që këto media kanë mbajtur në informacionin për qytetarët shqiptarë.

Unë kam këtu shkresën ku IKMT në vitin 2017, merr përgjigje se resorti po ndërtohet mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Pra, ka leje dhe çdo gjë.

Ky akt i shëmtuar i një njeriu të sfazuar nga fakultetet mendore, i një njeriu që përfaqëson errësirën, arkaizmin më të thellë njerëzor në hakmarrje, është kjo që ndodh sot, në një ditë si kjo, që është një ditë e veçantë, se një burrështetas i një vendi të madh viziton vendin, ndërkohë që fadromat e një njeriu të verbër i futen një resorti ku PS ka zhvilluar dhjetëra e dhjetëra aktivitete elektorale.”– tha ish-kryeministri.

Ai e krahasoi këtë rast me rastin e “Agon Channel” që përfundoi në arbitrazh dhe theksoi se opozita do bëjë gjithçka që çdo arbitrazh të dëmshpërblehet nga Rama dhe jo taksapaguesit.

“Një gjë ju siguroj, se do jenë taksapaguesit shqiptarë që do paguajnë urrejtjen e këtij karakteropati si në rastin e Agonit dhe në raste të tjera.

Këtë herë do i paguajnë një për një, ne do bëjmë ligjin që çdo arbitrazh të dëmshpërblehet nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Kjo vjen pas televizionit Ora, që ky i çoi Arapin e zi për xhandar.

Ky është një njeri i çmendur nga fobia mediatike. Ky jeton i tmerruar për shkak të vjedhjeve që ka bërë. Ka firmosur jo si kryeministër, por si kryetar i një organizate kriminale. Por opozita shqiptare do bëjë gjithçka dhe do e hedhë atë ku e meriton.”- tha Berisha.