Vendosni fjalën kyçe....

I riu nga Shkodra në listën e “Forbes” për njerëzit më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç


Një shqiptar është bërë pjesë e listës së “Forbes”, për personat nën moshën 30-vjeç, që kanë arritur sukses në botën financiare dhe atë të zhvilimit ekonomik.

Në listën me 33 emra, bën pjesë edhe Kevin Sekniqi nga Shkodra. I riu është bashkë-themelues dhe COO në Ava Labs.

Në përshkrimin për të Forbes shkruan: “Si bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, Sekniqi luajti një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues dhe AVAX, një kriptomonedhë me vlerë tregu 4 miliardë dollarë.”

Forbes thotë se ka shqyrtuar mbi 12 mijë kandidatë të mundshëm, duke i vlerësuar për faktorë si investimi, të ardhurat, ndikimi social, inovacioni dhe potenciali që kompanitë e tyre ofrojnë.

Lidhur me këtë përzgjedhje ka reaguar edhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber që përmes një postimi ka treguar se si është njohur me të riun.

“E takova vitin e kaluar në Majemi, në ato pak orë që ja lejonte vetes për të pushuar larg kompjuterit dhe kompanisë së tij. Shumë i dashur, i thjeshtë, dhe me mjaft modesti fliste për komaninë e tij, të filluar që në bankat e shkollës, zhvilluar në Nju Jork por vendosur në Miami, Florida. Ate prill 2021 ai ishtë në fazën kërkimore, dhe priste që brenda vitit të përmbyllte ëndrrën e tij për një zhvillim unik në fushën e kriptomonedhës. Tani ai ja ka dalë me sukses.”- shkruan ambasadorja.

Para Ava Labs, Kevin ishte kandidat për doktoraturë në Shkenca Kompjuterike në Cornell duke kryer kërkime në sistemet e shpërndara, kriptografinë, sigurinë dhe ekonominë. Ai më parë ka bërë kërkime dhe inxhinieri softuerike në organizata të njohura, duke përfshirë Microsoft dhe NASA.