Kryetari i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se është emëruar në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Vendimin e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media.
Kjo pozitë deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.
Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.
Viteve të fundit Rashiq ka vepruar si politikan opozitar serb në Kosovë.
Para formimit të Listës Serbe më 2013 – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e Qeverisë.
Për emërimin ka reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili e ka quajtur Rashiqin “llum”.
Madje Vuçiç, siç citohet nga media Kurir, ka paralajmëruar se nuk do marrë pjesë në Samitin e Tiranës BE-Ballkani Perëndimor.
“Zgjodhën llumin më të keq serb, nga fundi i kovës, Rashiqin dhe Radu Trajkoviqin, ata nuk ekzistojnë më, ata nuk kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe agjencive perëndimore. Ata mendojnë se do të na trembin. Nuk ka problem. Ju mund të shkatërroni presidentin e Serbisë, të organizoni protesta në Serbi, të më vrisni mua. Por për mua Kosova është shenjtëroria më e madhe serbe. Për mua Serbia është e shenjtë. Është më mirë të shkoj, se sa t’jua dorëzoj juve. Dhe prandaj askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ju vini bukur, udhëtoni me avion, flisni marrëzi dhe flisni marrëzi, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor” – tha ai.