Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Spanjës merr një letër-bombë, si ajo që shpërtheu dje në ambasadën ukrainase në Madrid


Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ka marrë një letër bombë të ngjashme me atë që shpërtheu më 24 nëntor në ambasadën e Ukrainës në Madrid, ku mbeti i plagosur një punonjës.

Ministria e Brendshme spanjolle tha se janë dërguar katër zarfe që përmbajnë “material piroteknik“.

Siç citon Politico, Ministria e Brendshme tha se letra-bombë për Sanchez ishte dorëzuar me postë të rregullt dhe ishte “e ngjashme në karakteristikat dhe përmbajtjen e saj me ato të marra nga Ambasada e Ukrainës në Madrid, nga kompania Instalaza në Zaragoza dhe nga baza ajrore Torrejón.”

Kompania spanjolle e armëve Instalaza, e cila prodhon granatahedhësit që Spanja i ka ofruar Ukrainës, mori gjithashtu një letër bombë të mërkurën, e cila u shpërthye nga policia.

Një tjetër letër bombë u dërgua në Qendrën Satelitore të bazës ajrore Torrejón de Ardoz të enjten dhe u zbulua nga forcat e sigurisë përpara se të mund të shkaktonte ndonjë dëm.

Ministria e Brendshme tha se kishte urdhëruar “Policinë Kombëtare dhe Gardën Civile të marrin masa ekstreme për të mbrojtur administratat publike dhe ndërtesat, veçanërisht në lidhje me kontrollet mbi dërgesat postare”.